Ristrokturim qeverie, “luftë” për largimin e Fatmir Besimit

Qeveria e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI së shpejti pritet të pësojë ndryshime, pas votëbesimit të fituar javën e kaluar. Mediat maqedonase bëjnë të ditur se në fokusin e ndryshimeve është ministria e Mbrojtjes, Drejtësisë dhe ministria e Evrointegrimeve.Siç bëhet e ditur, VMRO-DPMNE insiston që nga posti i ministrit të Mbrojtjes të largohet Fatmir Besimi, ndërsa emri i këtij të fundit lakohet nga BDI si kandidatura e mundshme për komunën e Tetovës.Në BDI kanë theksuar se nuk japin Ministrinë e Mbrojtjes në rast se do të insistonte VMRO-DPMNE. Lëshimi eventual i këtij dikasteri do të ndodhte nëse BDI do të merrte Ministrinë e Brendshme ose Ministrinë e Financave.Portali maqedonas Plusinfo theksoi se BDI do të jap ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa në këmbim të kësaj do të marrë Ministrinë e Shëndetësisë ose të Arsimit. Sipas këtij portali, BDI synon që në garën për Tetovën të ketë nënkryetaren dhe zëvendëskryeministren për evrointegrime, Teuta Arifi.Rikonstruimi i Qeverisë pritet të ndodhë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.