Vetëvendosje-Presidentes: Strukturat serbe nuk janë të ligjshme
Lëvizja “Vetëvendosje” ka reaguar sot ndaj deklaratave të njërit prej këshilltarëve të Presidentes së Kosovës, i cili ka theksuar se strukturat e Beogradit brenda Kosovës janë legjitime. Sipas vetëvendosjes kjo është më shumë sesa një deklaratë e pamatur.“Strukturat e Serbisë mund të jenë të ligjshme vetëm për Serbinë e cila e konsideron Kosovën pjesë të saj, por kurrsesi nuk mund të jenë të ligjshme për Kosovën. Për Kosovën të ligjshme janë vetëm strukturat institucionale të Republikës së Kosovës të definuar me Kushtetutë. Tahiri duhet ta qartësoje për opinionin e gjerë se kë e ka përfaqësuar vërtet kur ka dhënë një deklaratë të tillë. Ajo që ka thënë këshilltari i Presidentes me siguri që i ka trimëruar strukturat e Beogradit në synimet e tyre kundër shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Deklarata e Tahirit është përpjekje për t`i hapur rrugë bisedimeve me Serbinë për veriun e Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.Strukturat e Serbisë në Kosovë, sipas kësaj Lëvizje janë kriminale të paligjshme dhe antikushtetuese, dhe si të tilla ato duhet të ndiqen penalisht.“Me to duhet të merren institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Me krimin e organizuar nuk mund të ketë kurrfarë kompromisi. Në Republikën e Kosovës është i paligjshëm dhe jo legjitim çdo post publik antikushtetues. Liderët e komunave serbe në veri të Kosovës janë të zgjedhur ne zgjedhjet e Serbisë të mbajtura në Kosovë padrejtësisht dhe kundër ligjeve tona. Në Republikën tonë legjitime mund të jenë vetëm një palë zgjedhje. Në të kundërtën çdokush dhe çdo shtet paska të drejtë të organizojë zgjedhje në Kosovë. Kjo është e papranueshme”, thuhet në reagim.