Psikoterapi për ata që duan ndarjen e Kosovës

Ndarja e Kosovës, një opsion që përgjatë viteve të fundit ka mbizotëruar qëndrimin politik të Beogradit karshi veriut të vendit, e që është zhdukur më pas për një kohë të caktuar nga tryeza e mundësive për zgjidhjen e kësaj çështjeje është shfaqur sërish.Me gjithë kundërshtimin kategorik të Prishtinës zyrtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, bindjen se ndarja është opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të veriut e ritheksoi një ditë më parë, kryeministri serb, Ivica Daçiç.Por, njohësit e ngjarjeve politike në Serbi e Kosovë hedhin poshtë mundësinë për jetësimin e kësaj ideje. Ata konsiderojnë se me realizimin e saj, Serbia do të njihte shtetësinë e Kosovës duke ia ndryshuar tërësinë territoriale , gjë që bie ndesh me politikën aktuale se nuk do të njihet kurrë pavarësia e Kosovës.Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, ka deklaruar se një pjese të politikanëve serbë dhe atyre që e mbështesin idenë për ndarje, u nevojitet një psikoterapi për t`ua bërë të qartë pamundësinë e zbatimit të këtij opsioni në realitetin ekzistues.“Mendoj se do të ishte shumë e nevojshme që të organizohet një lloj terapie psikologjike - ose psikoterapi, dhe një diskutim joformal lidhur me ndarjen. Nuk është vetëm Daçiç ai që flet për këtë gjë, por i kemi edhe disa ish-zyrtarë, si për shembull Steven Meyer, apo ish-zyrtari i Kombeve të Bashkuara Gallucci, që mbajnë të gjalla shpresat se ndarja është zgjidhje”, shprehet Janjiç, për të shtuar se pjesa dërrmuese e njerëzve në Serbi janë në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë në raport me Kosovën.Analisti serb shfaq rëndësinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të deritashëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ndërsa thotë se duhet të punohet fuqishëm në normalizimin e raporteve ndërmjet palëve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për problemin e veriut të Kosovës.Hulumtuesi i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, Shpend Kursani-KIPRED, thotë se heshtja aktuale dhe mungesa e ofrimit të ideve nga pala kosovare, flasin për mungesën e vizionit që ka Kosova për zgjidhjen e problemit të veriut.“Ne po kemi frikë ta themi qëndrimin tonë, ndërsa po presim të na e thonë. Serbia po e tregon veten si një aktor - një palë serioze në dialog dhe kjo tregon se më shumë do t`i dëgjohen Serbisë dëshirat në dialog se sa delegacionit apo pozicionit të Kosovës”, thotë Kursani.Ai thekson, se viktimë e qëndrimit të Beogradit ndaj problemit për veriun e Kosovës janë bërë serbët lokalë të asaj pjese, të cilët vazhdojnë të jetojnë në një status-quo.Integrimi i këtyre të fundit, ndërkaq, shihet si e vetmja mundësi, të cilën Prishtina zyrtare është zotuar se do ta zbatojë në javët dhe muajt e ardhshëm.Problemi kryesor në këtë drejtim thuhet se mbetet funksionimi i strukturave paralele serbe në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë dhe mungesa e sundimit të ligjit atje.Problemi i veriut pritet të jetë temë boshte e një dialogu më politik ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është paralajmëruar të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.