Maqedoni, opozita kërcënon për bojkot në zgjedhje

Opozita në Maqedoni ka kërcënuar se do të bojkotojë zgjedhjet 2013 në rast se nuk bëhen ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe pastrimin e listave zgjedhore.Deklarata është bërë nga lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i cili në një konferencë për mediat pas votëbesimit që siguroi qeveria aktuale, kërkoi ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe pastrimin e listave zgjedhore nga votuesit fiktiv.Qëndrimi i PDSH është se diskutimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është i kotë sepse ende asgjë nuk bëhet në drejtim të pastrimit të listës zgjedhore."Patjetër duhet të ketë të dhëna të sakta për të gjitha personat të cilët kanë të drejtë vote. Pse pushteti nuk bën regjistrim dhe kur do ta bëjë atë?", ka theksuar deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela. Në radhët e kësaj partie theksojnë se janë të gatshëm për tu ballafaquar në zgjedhje dhe se duke kërkuar zbatimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR për Kodin Zgjedhor dhe parregullsitë e tjera që mund të evitojnë dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve.RDK gjithashtu shpreh mëdyshje për modelin e propozuar nga Qeveria për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se ai ka shumë mangësi dhe nuk eviton votuesit fiktiv nga listat zgjedhore.“Me ndryshimet sipërfaqësore të kodit zgjedhor nga ana e maxhorancës, ne nuk do të kemi zgjedhje fer dhe të drejta dhe ashtu siç janë kërkesat e OSBE-së. Nëse shkojmë në zgjedhje pa pastrimin e listave të votuesve ne do të kemi një krim zgjedhor”, ka theksuar deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri, duke nënvizuar se pa ndryshimin e kodit, janë të arsyeshme kërkesat për bojkotim të zgjedhjeve.Nga BDI theksojnë se ministria e drejtësisë ka propozuar Projekt- ligjin për ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe se ai është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe do të jetë pjesë e debatit parlamentar, ku janë të hapura ndërhyrjet dhe plotësimet e tij.Debatet për ndryshimet e Kodit zgjedhor vijnë në një periudhë kur vendi është pranë zgjedhjeve të ardhshme lokale në mars 2013 dhe mundësive për të mbajtur në pako edhe zgjedhjet parlamentare.