Maqedoni, Qeveria kalon me sukses votëbesimin

Qeveria Gruevski-Ahmeti i ka mbijetuar votëbesimit.Parlamenti i Maqedonisë mbrëmë i dha votëbesimin Qeverisë së koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe BDI të kryeministrit Nikolla Gruevski. Pro votëbesimit votuan 68 deputetë nga 123 deputetë, ndërsa për shpërbërjen votuan 42 vetëm të opozitës.Para votimit, kryeministri NIkolla Gruevski theksoi se opozita duhet t`i shmanget akuzave dhe skenareve për të tensionuar dhe shkaktuar krizë në vend. Ai theksoi se kjo Qeveri nuk do të merret me skenare për provokimin e tensioneve ndëretnike dhe përmes skenareve të errëta të shmanget nga përgjegjësitë dhe prioritetet për të zgjidhur problemet politike dhe ekonomike.Kryeministri Gruevski përsëriti qëndrimin se Parlamenti duhet të sjellë Ligjin për përkujdesje institucionale për të ashtuquajturit "Branitellat" - ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrës në konfliktin e 2001, ndërsa ai u shpreh se vlerëson se nuk duhet të miratohet përkujdesja institucionale për UÇK-në.Gruevski përmendi edhe ndryshimet e emrave të shkollave në komunën e Çairit në Shkup nga emra maqedonas në emra shqiptarë. Sipas tij, Qeveria në asnjë rast nuk do të ndërhyjë për të hequr tabelat me emrat e ndryshuar, një skenarë që ndoshta sipas tij është i dëshirueshëm për opozitën. Lidhur me këtë çështje ai theksoi se do të veprohet në përputhje me ligjin dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Arsimit.Ai ka folur edhe për homazhet në varrezat e UÇK-së nga ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi, duke vlerësuar se nuk ishte një akt i duhur dhe ka reflektuar negativisht në raportet midis komuniteteve dhe se për këtë [ështje ai kishte shprehur reagimet publike.Gruevski foli edhe për përdorimin e himnit kombëtar shqiptarë, duke theksuar se nuk duhet përdorur një himn i një shteti tjetër në Maqedoni.Në planin ekonomik ai nënvizoi se Qeveria ka realizuar 2300 projekte zhvillimore ekonomike, duke nënvizuar planet dhe masat për zbutjen e krizës ekonomike, përkrahjen e bizneseve dhe kthimin e borxheve, tërheqjen dhe rritjen e investimeve, hapjen dhe ndërtimin e shkollave dhe universiteteve, por edhe projekte infrastrukturore, etj.Ai theksoi se Qeveria pret raport pozitiv të progresit nga Komisioni Evropian dhe se është e angazhuar për zgjidhjen e kontestit të emrit.Ndërkohë, sot gjatë seancës për votëbesimin e Qeverisë janë zhvilluar debate të ashpëra me akuza dhe kritika kundër Qeverisë nga ana e deputetëve të opozitës dhe në anën tjetër nga deputetët e maxhorancës aktuale.Qeveria e kryeministrit Gruevski mbijetoi interpelancën e dytë, pas asaj të vitit 2007 në koalicionim me PDSH-në. Votëbesimi i fituar i koalicionit është në një periudhë kur vendi tashmë ka hyrë në një fushatë aktive parazgjedhore për zgjedhjet lokale të fillimvitit të ardhshëm.