Padia, Bumçi: Sulm selektiv, Bushati s’kuptohet e ka me Haxhinaston apo Spahinë

Sulm selektiv lidhur me atë çfarë zonja. Spahiu dhe mbiemri i saj përfaqësojnë. Kështu e ka vlerësuar ish-shefi i diplomacisë, deputet i PD dhe anëtar i komisionit të jashtëm, Aldo Bumçi, padinë e Ministrisë së Jashtme ndaj ish-konsulles së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia. Në një prononcim për mediat, Bumçi tha se sulmi vjen në vazhdën e fushatës politike që Bushati ka ndërmarrë në Ministrinë e Jashtme dhe shërbimin tonë diplomatik.“Në vijim të fushatës politike, të reformës politike që Ministri Bushati ka ndërmarrë në Ministrinë e Jashtme dhe shërbimin tonë të jashtëm që dëshmohet me kriteret që përcaktojnë kur njerëzit qëndrojnë në Ministri apo dalin në listë pritje. Që duket me propozimet e bëra për kandidatë për Ambasadorë, ku nga 11 kandidatura , 6 janë politike, pra jo nga shërbimi i brendshëm i karrierës së diplomatëve shqiptarë, vjen dhe ky sulm i ndërmarrë ndaj ish-konsulles sonë, Nausika Spahia, konsulles sonë në konsullatën tonë në Milano, një sulm sektiv, sulm që bëhet ndaj saj për shkak të asaj që zonja. Spahiu dhe mbiemri i saj përfaqësojnë” tha ai.Referuar edhe vetë deklaratës së zonjës. Spahiu, Bumçi tha se ky sulm i Ministrit Bushati nuk kuptohet nëse është ndaj Ministrit të kohës Haxhinasto që ka miratuar dhe aprovuar këtë proçedurë apo Konsulles që ka zbatuar një shkresë të miratuar nga ai.“Siç është bërë e ditur në media nga vetë zonja. Spahiu, ish-konsullja jonë në Milano me dokumenta zyrtarë që shërbimi i ofruar nga ajo në një moment fluksi, kërkesë të rritur nga emigrantët shqiptarë për tu pajisur me pasaporta dhe kartë identiteti biometrike në një komunikim transparent me Ministrinë e Jashtme, ku nga drejtoria përkatëse dhe kabineti i Ministrit të kohës, Edmond Haxhinasto, ka marrë miratimin për të vijuar me këtë proçedurë. Pra gjithçka ka qenë trasparente, me një komunikim të arkivuar, të dokumentuar në Ministrinë e Jashtme. Ky është një sulm selektiv, konsullata është pjesë e Ministrisë dhe nuk kuptohet se kë ka dashur të sulmojë zoti.Bushati, Ministrin që ka miratuar dhe aprovuar këtë proçedurë apo Konsullen që ka zbatuar një shkresë të miratuar nga Ministri i kohës, Haxhinasto” deklaroi Bumçi.Ministria e Jashtme ka depozituar një kallëzim penal për ish-konsullen shqiptare në Milano, Nausika Spahia, për shpërdorim të detyrës dhe shkelje e barazisë në tendera.Spahia akuzohet për përfitime të paligjshme në kurriz të emigrantëve, ku sipas MPJ-së emigrantët paguanin një shërbim të paligjshëm telefonik.Ndërkohë, mësohet se pjesë e këtij hetimi është edhe Gjon Çoba, vëllai i ish-kryparlamentares Jozefina Topalli.Nausika Spahia ishte liruar nga detyra, bashkë me 5 konsuj të tjerë, më 29 shtator 2013 nga kryeministri shqiptar Edi Rama me propozim të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.