Gjiknuri-konsumatorëve: Të ulet konsumi i energjisë elektrike
Për herë të parë energjia e rinovueshme do të jetë kusht për ndërtimet në Shqipëri duke kursyer energjinë e prodhuar nga burimet tradicionale. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, gjatë pjesëmarrjes në inaugurimin e zyrës së informimit për efiçencën e energjisë deklaroi se po përgatiten paketa ligjore për këtë sektor.Gjiknuri kërkoi që të rritet sensibiliteti i qytetarëve në lidhje me rëndësinë e termoizolimit të banesave, pasi kjo do të ulte humbjet e shumta të energjisë.“Kjo është një zyrë mjaft e rëndësishme për të informuar publikun shqiptar por edhe për të kuptuar shumë mirë që eficenca energjitike është një burim shumë i rëndësishëm energjie. Kanë filluar ta quajnë burimi i rienergjisë për shkak se ka një hapësirë të madhe për të konservuar energji duke përdorur standartet më të mira qoftë në ndërtim, qoftë në fusha të tjera në mënyrë që të kursehet energjia. Kursimi i energjisë është një nevojë që e dikton koha jo vetëm për rastin e Shqipërisë, përtej problemeve të mëdha që ne kemi me humbjet pikërisht kjo është një rast që njerëzit të bëhen koshient se si ta përdorin energjinë në mënyrë më eficente dhe kjo fillon që nga godinat, që nga mënyrat e përdorimit të energjisë në mënyrë që konsumi të ulet” tha GjiknuriZv. ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Erik Tintrup, deklaroi se për Shqipërinë energjia e rinovueshme është një zgjidhje duke konstatuar problemet që ka sektori energjitik në vend.“Politikbërsit e energjisë mendojnë se energjia që arrihet nga burime tradicionale është e lidhur edhe me probleme të mjedisit dhe për këtë duhet që vëmendja të kthehet tek eficensa e energjisë.Kjo do të thotë kursim dhe përdorim me i mirë i energjisë.Ndërtimet e reja duhet të planifikohen në bazë të eficencës së energjisë në Shqipëri.Kjo do të jetë pozitive edhe për mjedisin e qytetarët e sidomos për sektorin energjitik në vendin tuaj, i cili haset me një sërë problemesh” tha ai.Energjia e rinovueshme konsiderohet si energjia e të ardhmes, pasi kushton më pak dhe nuk dëmton mjedisin .Në shumë vende të botës përdorimi i kësaj energjie është mjaft i përhapur.