Prezantohen rezultatet e Task Forcës për energjinë, Peleshi: Kemi bërë 146 kallëzime penale
Zv.kryeministri Niko Peleshi ka prezantuar sot rezultatet e punës 1-mujore të Task-forcës kombëtare për energjinë.Në fjalën e tij, Peleshi u shpreh se Task Forca po vijon punën me intensistet në të gjithë vendin ndërsa ka shtuar se deri më tani janë bërë 146 kallëzime penale në Prokurori për shkelësit.“Është ngritur në të gjithë Shqipërinë rrjeti i njësive operacionale nën drejtimin e prefektëve të qarqeve në bashkëpunim me institucionet e rëndësishme siç është prokuroria, dhe drejtoritë rajonale të policisë në bazën e një fryme të krijuar me memorandumin e bashkëpunimit të firmosur. Puna po vijon me intensitet por ka ende shumë punë për tu bërë. Arkëtimet e janarit janë 10 milionë më tepër krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon sesa e madhe është rezerva që CEZ shpërndarje ka tek debitorët por edhe tek vjedhësit e energjisë elektrike. Janë tronditëse shifrat e CEZ-it, është një humbje prej 43.2 përqind e energjisë elektrike gjatë muajit të kaluar ose e barabartë me 200 milionë dollarë sa 70 përqind e kaskadës së Drinit" tha Peleshi.Zv. kryeministri Peleshi ka theksuar se toleranca ndaj atyre që do t`i shmangen detyrimet nga shteti do të jetë zero.