Rrëzimi i dekreteve, vijon beteja PS-Nishani, Felaj: Reagimi i presidentit politik, i papreçedent

Grupi Parlamentar i PS-së ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit Bujar Nishani në lidhje me rrëzimin e dekreteve të tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë.Në një deklaratë për mediat deputetja socialiste Ermonela Felaj theksoi se pozicionimi politik i Presidentit është një rast i paprecedentë.Deklarata e Ermonela Felajt  Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës në lidhje me vendimin e Kuvendit për mosdhënien e pëlqimit për dy kandidatura të propozuara si anëtarë të Gjykatës së Lartë.Duke vënë re jo pa keqardhje në reagimin e Presidentit të Republikës, një pozicionim qartësisht politik, përsërisim se e gjithë procedura e ndjekur nga ky institucion në shqyrtimin e dekreteve për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë është kryer në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik dhe Rregulloren e Kuvendit.Për tu sqaruar rreth akuzave politike që karakterizojnë pozicionimin e Presidentit, ftojmë të gjithë të interesuarit, që të njihen me tekstin integral të raportit të hartuar nga Komisioni i Ligjeve.Larg çdo terminologjie joligjore, ky dokument qartëson gjithçka edhe mbi të ashtuquajturin qartësim të pretenduar nga Presidenti në deklaratën e tij.Ndryshe nga raste të tjera, kur dekretet e Presidentit të Republikës, për emërime në organet kushtetuese liheshin për muaj e vite pa u shqyrtuar, apo pa u shqyrtuar kurrë, menjëherë sapo dy dekretet u përcollën në rrugë zyrtare, Kuvendi ka ndjekur gërmë për gërmë parashikimet ligjore në trajtimin e tyre.Terma të përdorur nga presidenti si "truk procedurial" nuk e cënojne nje proces të tille, të kryer në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.Është rast i paprecedent kur një President i Republikës përmes një deklarate të politizuar vë në diskutim vendimmarrjen e Kuvendit, i cili si i vetmi përfaqësues i vullnetit të popullit, është në ushtrim të plotë të së drejtës kushtetuese që të japë pëlqimin, ose të rrëzojë dekretet e Presidentit të Republikës.