Gjika-Dervishit: Nuk kam lidhje me asnjë klan okultesh mafioze
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika ka hedhur poshtë deklaratat e bëra disa ditë më parë nga prefekti Besnik Dervishi duke theksuar se nuk është pjese e asnjë klani kriminal. Në një konferencë për shtyp, Gjika ka theksuar se dikush po përpiqet ta hedh në erë investimin që është bërë për ta çliruar Vlorën nga imazhi i keq."Edhe pse ka lidhje të drejtëpërdrejtë me pozitën time ligjore këto arrestime dhe këto hetime më bëjnë optimist se ato dëshmojnë se shteti ashtu siç e donim është në këmbë, se policia po vepron, se krimi po humbet dita-ditës terrenin që kishte fituar padrejtësisht në kurriz të qytetit. Shqetësimi im si kryetar I bashkisë lidhet me investimin e përbashkët që kemi bërë për gjatë gjithë këtyre viteve për ta çliruar Vlorën nga ai imazhi i keq dhe nga pasojat negative të 1997-ës. Mund të krenohemi se ia kemi dalë mbanë ta kthejmë Vlorë nga qyteti i fajdeve, i skafeve, i krimit dhe i drogës në një qytet normal që po përballet me sfida normale të zhvillimit. Por fatkeqësisht dikush po përpiqet ta hedhë në erë këtë investim. Dikush po i fryn zjarreve dhe kërkon të ringjallë nga hiri hijet e errëta të vitit 1997" tha Gjika.Ai gjithashtu i cilësoi deklaratat e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi si absurde dhe të papërgjegjshme" Dëshiroj t'i kujtoj z. Prefekt, madje po të dojë, edhe nga pozita e zyrtarit që e ka mbajtur para tij atë post, se ai, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në qarkun e Vlorës dhe në qytetin e Vlorës, duke qenë se për shkak të detyrës duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm e të klasifikuar, nuk mund të flasë me opinione e me llafe rruge, e ca më pak t'i amplifikojë thashethemet e ligësitë, duke i humbur rrugën e duke ia ngatërruar pistat hetimeve që po kryhen. Pra, z. Prefekt ose e ka këtë informacion për këtë "klan që vepruaka në qytet" (dhe nëse e ka, nuk i takon ta dekonspirojë para mikrofonave të gazetarëve dhe telefonave të opinionbërësve, por ta çojë atje ku ligji e detyron atë dhe çdo qytetar), ose nuk e ka dhe flet me mllefe personale dhe e kthen hatërmbetjen personale në "kauzë shtetërore", duke bërë kështu sërish një shkelje, më së paku të etikës së nëpunësit të shtetit. E sa për "klanin" që ju, z. Prefekt e aludoni si "klanin tuaj kundërshtar dhe të drejtuar nga unë vetë" dhe si të tillë e keni hedhur për konsum tavolinash, ju siguroj se i vetmi klan, të cilit unë i përkas është "klani" i qytetarëve vlonjatë që punojnë me zemër e me mendje për Vlorën, i përkas "klanit" socialist që ka vendosur mes një mijë vështirësive ta rilindë Vlorën dhe Shqipërinë. Dhe ti, mesa di, je pjesë e të njëjtit "klan". Unë dhe ti, sikurse çdo qytetar i ndershëm vlonjat, s'kemi asnjë lidhje okulte me klane mafioze e me celula vrasësish gjakftohtë, qofshin këta edhe "të penduar” iu drejtua Gjika prefektit Dervishi.