Këshilli Bashkiak në shkodër, Luka: Shkodra nuk ka përfituar fondet e nevojshme

Pas afro 4 orë diskutime dhe debate, me 29 vota pro, asnjë kundër dhe 6 abstenime, Këshilli i Bashkisë Shkodër miratoi paketën fiskale dhe buxhetin për vitin 2014, me një vlerë prej 411 milion lekësh. Fillimisht, Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, bëri një panoramë të investimeve të realizuara gjatë 2013-ës dhe tha se buxheti për këtë vit shkon drejt disa prioriteteve të domosdoshme për qytetin. Gjatë mbledhjes nuk munguan as akuzat se Shkodra është diskrimuar politikisht, pasi si një ndër qytetet më të mëdha, buxheti i saj është rritur vetëm 0.27%, kur në qytete të vogla ka një rritje 20 deri në 30%.Akuzat nuk u kursyen as sa i përket Entit të Banesave për ndarjen e shtëpive për të pastrehët. Këshilltarët kërkuan që Bashkia të veprojë, pasi qindra familje kalojnë ditët në qiell të hapur, kur apartamentet kanë përfunduar së ndërtuari..Si përherë, edhe në këtë mbledhje që duhej të ishte më e rëndësishmja dhe konçizja për vetë rëndësinë që ka buxheti, nuk munguan etiketimet dhe sjelljet aspak të hijshme nga ana e të zgjedhurve vendorë.