Rendi dhe siguria publike, qytetarët: Gjyqësori të japi vendime të rënda

Shpërthimet me anë të lëndëve plasëse dhe arrestimet e fundit të kryera nga Policia e Shtetit, me protagonistë persona nga qyteti i Vlorës  të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale dhe terrorriste, kanë qenë kryefjala e këtyre ditëve në mbarë opinionin shqiptar.Situata e krijuar, ku përfshihet pasiguri por njëkohësisht edhe habi mbi atë çka ka ndodhur në një hark kohor tepër të shkurtër, ka qenë tema e çdo bisede jo vetëm në media por edhe e qytetarëve, ku në opinionet e tyre ajo vjen në këndvështrime të ndryshme. Sipas tyre, gjyqësori mbetet një prej faktorëve i cili duhet të godasë më tepër këto fenomene kriminale, të cilat po shënojnë panik dhe tmerr, sidomos në Vlorë, ku kanë ndodhur edhe pjesa dërrmuese  e tyre.Pavarësisht se ky është një fenomen që prek të gjithë shoqërinë tonë, dhe ka patur një shtrirje gjeografike në të gjitha rrethet, shumë prej qytetarëve kanë qëndruar larg prononcimit për këtë problem, duke u përpjekur të qëndrojnë sa më larg jo vetëm ngjarjeve të tilla por edhe bisedave rreth këtij fenomeni.