Ligatinat, Koka-Panariti: Menaxhim më të mirë të pasurive kombëtare

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të Ligatinave, 2 Ministrat e kabinetit qeveritar Rama, ai i Bujqësisë dhe Mjedisit kanë kërkuar vemendje më të madhe nga pushteti qendror dhe ai lokal për mbrojtjen nga shkatërrimi dhe ndotja. Duke folur në konferencën Kombëtare “Ligatinat dhe Bujqësia, Partnerë në Zhvillim”, Ministri Panariti theksoi se për shkak të prishjes së ekuilibrit natyror në liqenin e Butrintit brenda një viti është zhdukur 30% e species së midhjes.“Shqipëria është një vend i bekuar se pse zotëron një rrjet ligatinor të pa shoq që shtrihet nga veriu në jug. Mbartin 70% të pasurisë sonë të biodiversitetit. Përgjegjësi jona e përbashkët për ta menaxhuar në mënyrë të mençur. Që në fillim të mandatit tim kam pasur në fokus rishikimin e procesit në tërësi të rrjetit ligatinor. Po shkelen rëndë standardet kriteret ekologjike të biodiversitetit. Le të marrim liqenin e Butrintit. Vitin që kaloi patëm humbje mbi 30% të species së midhjes si rezultat i prishjes së rëndë të ekuilibrit lagunor. Kjo ndodhi nga mosrespektimi i bilanceve natyror. Ndërprerja e furnizimit me ujë të freskët nga Bistrica për shkak të përdorjes së ujit për bujqësi. Bllokimi i kanalit që e lidh me detin. Ka nevojë urgjente për tu thelluar”- tha Panariti.Ndërsa Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se menaxhimi i potencialeve të mëdha natyrore lë shumë për të dëshiruar. Megjithatë Koka u shpreh optimist se ngritja e dy agjensive të posaçme për mbrojtjen e pasurive kombëtare do të japin e efektin e tyre."E konsideroj sfidë, pasi në shumë vende të botës, burimet ujore tashmë janë përdorur në ose përtej kufijve të tyre të qëndrueshëm. Bujqësia do të kërkojë më shumë ujë për të mbështetur më shumë njerëz në të ardhmen, por ligatinat ende duhet të kenë ujë të mjaftueshëm për të ruajtur karakterin e tyre ekologjik dhe shërbimet esenciale të ekosistemit. Nga ana tjetër, funksionet dhe vlerat ekonomike të ligatinave duhet të merren parasysh në planifikimin për prodhimin e ushqimit dhe produkteve të tjera bujqësore. Për të garantuar këtë qasje, në kuadër të Direktivës së Bashkimit Europian për ujin, Ministria e Mjedisit, ka shënuar një progres të dukshëm institucional dhe ligjor për administrimin e ekosistemeve ujore. Ministria e Mjedisit po harton projektvendimet në përputhje të plotë me direktivën Kuadër të ujit dhe direktivave që lidhen me të. Në përmbushje të ligjit për menaxhimin e integruar të ujërave, jemi në proces të hartimit të strategjisë kombëtare për menaxhimin e integruar të ujerave si dhe strategjisë kombëtare për kadastrën e ujërave. Miratimi nga Këshilli i Ministrave i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave do të sjellë efektet e dukshme edhe tek ligatinat. Ligatinat shqiptare përfaqësojnë mjedisin më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Ata janë zona me vlera dhe përdorime të shumta ekologjike dhe ekonomike, duke qene se ofrojnë peshk dhe habitate për kafshët e egra, mbështetin zinxhirin kompleks ushqimor, thithin ujin duke zvogëluar përmbytjet dhe dëmet nga stuhitë, kontrollojnë erozionin, përmirësojnë cilësinë e ujit, dhe sigurojnë hapësira të lira me vlera estetike” tha Koka .Edhe deputeti socialit, Besnik Bare, në cilësinë e specialistit në çështjet e mjedisit, tha se përdorimi i këtyre pasurive është problem global, por shqetësuese për Shqipërinë mbetet mungesa e bashkëpunimit midis grupeve të ndryshme të interesit.Dita botërore e Ligatinave festohet në të gjithë botën në kujtesë të adaptimit të Konventës së Ligatinave në 2 shkurt 1971 në qytetin Ramsar të Iranit. Edhe Shqipëria bën pjësë në këtë Konventë me zonën e Karavastasë, Butrintin, Liqenin e Shkodrës, Lumin Buna dhe Velipoja.Ato zënë rreth 3,2% të territorit të vendit dhe strehojnë më shumë se 70% të vertebrorëve që përbëjnë një thesar të biodiversitetit në Shqipëri.Shumica e turizmit në Shqipëri është e lidhur ngushtë me këto toka që lagen nga uji.