Rama, ndërmarrjeve italiane: Shqipëria një tokë e afërt dhe e re për ta‘pushtuar’

Ndërsa ndodhet me një mision në shtetin fqinj, bindjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha italiane për të investuar në Shqipëri, shefi i qeverisë Edi Rama nuk ka përjashtuar as median në këtë fushatë. Në një intervistë për gazetën italiane "La Rapubblica", Rama ndërsa rendit arsyet se pse duhet investuar në Shqipëri, vlerëson se për ndërmarrjet italiane vendi ynë mund të jetë një tokë e afërt dhe e re për ta `pushtuar`.“Investitorët italianë kanë shfaqur një interes të madh, pasi nga një anë është dëshira e madhe e ndërmarrjeve italiane për tu ndërkombëtarizuar dhe nga ana tjetër Shqipëria është një realitet ekonomik për tu eksploruar dhe që ofron mundësi të mëdha për këto ndërmarrje. Për ndërmarrjet italiane, mund të jetë një tokë e afërt dhe e re për ta `pushtuar`. Dhe këtë, bota e sipërmarrësve italianë e ka kuptuar dhe kontaktet janë intensifikuar. Shumë prej tyre janë prezente në Shqipëri që në fillimet e ardhjes së demokracisë në vend. Por nuk janë të shumta, mbi të gjitha nëse mendojmë se çfarë ndodh në realitete të tjera të vendeve të Europës ish-komuniste. Kjo duhet të ndryshojë. Po punojmë edhe me vende të tjera, por objektivi ynë është mbi të gjitha Italia, pasi me ju ekziston një afërsi kulturore, gjuhësore dhe përtej afërsisë gjeografike. Shqipëria është një vend i pasur, i ri dhe i bukur, me naftë, minerale dhe shumë burime ujore. Bujqësia jonë nuk është shumë e zhvilluar, por ka pasuri të madha për tu shfrytëzuar. Dhe mbi të gjitha Shqipëria është një vend me diell, me brigje të mrekullueshëm, ende pak të zhvilluar” shprehet Rama.Shqipëria është vendi europian më i pasur me burime idrike pas Norvegjisë, nënvizon më tej Kryeministri, andaj dhe kompanitë nga të cilat kërkohet bashkëpunim janë ato që punojnë në fushën e energjitikës idro-elektrikës.“Mbi të gjitha atyre që punojnë në fushën e energjitikës idro-elektrikës, pasi në Shqipëri ka një sasi të madhe uji. Pas Norvegjisë, jemi vendi europian më i pasur me burime idrike. Por u drejtohem edhe ndërmarrjeve prodhuese, industrisë turistike, që do të mund të fitojnë shumë në brigjet tona të mrekullueshme dhe gjithashtu ata që punojnë në bujqësi dhe në infrastructure” thekson Rama.Për "La Rapubblica" Rama ka folur edhe për hapat që po bën qeveria e tij për proçesin e integrimit."Ne po ecim përpara me programin tonë të reformave: luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, luftën për korrupsionin, reformat e një strukture administrative të vjetëruar, e cila bllokon investimet e huaja si edhe reforma strukturore që i kërkohen vendit tonë për integrimin në BE.Nuk bëhet fjalë për emergjenca, por mbi të gjitha për një program modernizimi që duhet të ndërmarrim. Shqipëria duhet të përshtatet me kohërat e reja dhe më në fund të jetë një Shtet Europian, si të gjithë Shtetet e tjerë. Ajo çfarë kemi tarshëguar nga qeverisja e kaluar është mungesa absolute e modernizimit, që kthehet në korrupsion dhe në të gjithë ato fenomene negativë që dalin në pah, kur shteti mungon” përfundon Rama.Më herët Rama u takua me sipërmarrësit e rajonit te Lombardisë, nga ku deklaroi se Shqipëria është gati, për të mirëpritur ndërmarrjet italiane, duke iu ofruar hapësira me qira për një euro për të gjithë jetën.Sipas Kryeministrit “mund të vihen në dispozicion struktura ekzistuese për tu rikostruktuar, siç mund të jenë kapanon, baza ushtarake që do të marrim me qera për një euro, pavarësisht nga metrat katror.”Ndërkohë kryeministri Rama gjatë vizitës së tij në Milano do të vizitojë Konsullatën shqiptare, e cila do t’u ofrojë shërbime dhe qytetarëve të Kosovës.