PMNZSH kontrolle në pikat e gazit në kryeqytet, sekuestrohen mbi 200 bombola

Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit bëri të ditur sot se pas një aksioni disa ditor në qytetin e Tiranës janë bllokuar mbi 200 bombola të furnizimit me gaz.Në një prononcim për mediat, drejtori i PMNZSH Tiranë, Shkëlqim Goxhaj theksoi se gjendja e pikave të mbushjes më gaz është jashtë standardeve ndërkohë që theksoi vendosmërinë e repartit zjarrfikës për të ushtruar kontrolle të vazhdueshme bazuar në kompetencat që i jep ligji.“Ne jemi të vendosur që t’i detyrojmë tregtarët e gazit të zbatojnë normat e duhura teknike për të evidentuar kështu çdo rrezik që u paraqitet qytetarëve në banesa, dhe jo vetëm. Rreth 90% e rasteve të flakëve në banesa shkaktohen nga shpërthimi i bomobolave të gazit të cilat janë të pa kolauduara dhe të amortizuara” – tha Goxhaj.Nga ana tjetër, ai theksoi se sektori i PMNZSH-së në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, do t’i bllokojë të gjitha ato pika që ushtrojnë aktivitet jashtë standardeve të kërkuara evropiane.“Duke filluar nga java tjetër, Prefekti i Qarkut Tiranë dhe PMNZSH do të zhvillojë takim edhe me drejtues të shoqërive aksionere të cilat ushtrojnë aktivitetin në fjalë, për t’u bërë të ditur përfundimisht rregullat e tregtimit dhe masat disiplinore që do të merren nga ana jonë në rast të verifikimit të shkeljeve” – theksoi  Shkëlqim Goxhaj.PMNZSH pranë Prefektit të Qarkut Tiranë do të vijojë kontrollet për të shmangur rastet e përsëritura të zjarreve në banesa dhe ambiente të tjera që kanë si shkak gjendjen e papranueshme teknike të bombolave të gazit.