PDS nis “rrugën” drejt qeverisjes, Milo: Koha të vlerësohemi për kontributin

Partia Demokracia Sociale ka nisur negociatat me Partinë Socialiste për përfshirjen në qeverisje në bazë të marrëveshjes parazgjedhore. Paskal Milo, duke folur në Komitetin Drejtues të Partisë, tha se PDS priti të vlerësohet kontributi i saj, ndërsa është koha që ajo të jetë pjesë e qeverisjes."Deviza jonë gjatë gjithë kësaj kohe, që nga zgjedhjet e 23 qershorit, ka qenë durim dhe shpresë, mirëkuptim për vështirësitë e ndeshura, gjithnjë me shpresën dhe me bindjen se partnerët tanë politikë do të vlerësojnë Demokracinë Sociale.Dua të informoj Komitetin Drejtues Kombëtar se ka filluar procesi i negocimit për përfaqësimin e partisë në qeverisjen e vendit. Ky është një proces. Ai nuk mund të kryhet as në një javë dhe as në një muaj. Kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka për të përfaqësuar denjësissht interesat dhe kontributet tuaja në këto negociata. Referencë për këdo do të jetë numri i votave të marra në qershor, kjo është kontrata dhe kjo do të respektohet deri në fund”- tha Milo.Por Kreu i PDS-së u kërkoi mbështetësve të qëndrojnë me këmbë në tokë. Ai kërkoi që PDS të mos sillet si parti të tjera, që kthehen në opozitare në rastet kur u preken interesat.Në zgjedhjet e 23 qershorit, PDS mori 12 mijë vota. Sipas paktit paralektoral kësaj force politike i takojnë postet e zv.ministrave , prefektëve dhe drejtorive rajonale.