Bradasheshi kundër Bashkisë për landfillin e mbetjeve: Na ndot ujin e pijshëm
Mëngjesi i kësaj të shtune ka nxjerrë në protestë banorët e komunës Bradashesh, të cilët kundërshtojnë projektin e Bashkisë së Elbasanit për ndërtimin e një landfilli në këtë zonë.Banorët e Bradasheshit shprehen se projekti rrezikon seriozisht jetën e banorëve që jetojnë atje, pasi fusha e projektuar për depozitimin e plehrave gjendet vetëm 1 km larg pusit, nga i cili furnizohen me ujë të pijshmëm.“Ne jemi kundër vendndodhjes së fushës ku do depozitohen plehrat. Plehrat do të depozitohen 1 km larg pusit, nga i cili ne furnizohemi me ujë. Protestojmë kundër ndotjes në zonën ku banojmë” shprehen ata.Projekti sipas Bashkisë pritet të nisë nga zbatimi në 2-3 muajt e ardhshëm, ndërsa banorët propozojnë që landfilli rajonal të ndërtohet në komunën Papër, pasi ky fshat ka më pak banorë dhe është më pranë lumit.Ndërkaq protestuesit kanë apeluar Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, të largojë 50 fuçitë me lëndë helmuese cianur, të cilat gjenden në magazinat e Rezervave të Shtetit në Balëz, pasi sipas tyre janë një kërcënim për tre fshatra të kësaj Komune.“I bëjmë thirrje ministrit të Enegjisë dhe Industrisë që të largohen 50 fuçitë me lëndë helmuese cianur nga fshati Balëz .50 fuçitë me cianur janë në magazinat e Rezervave të Shtetit në Balëz .Nga lëndët helmuese janë në rrezik tre fshatra të komunës , Balza, Kusarthi dhe Krakullaku”apeluan banorët.