Analiza e policisë së Tiranës: Aksioni i arrestimit të babait të Tahirit, sukses

Policia nuk mund të zhbëjë në katër muaj potencialin kriminal të krijuar në 23 vite. Kështu i është përgjigjur gazetarëve, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri lidhur me vrasjet e fundit të ndodhura në vend.“Nuk mendoj që ju prisni që në 4 muaj policia e shtetit të zhbëjë potencialin kriminal që është krijuar gjatë gjithë kësaj kohe dhe policia e shtetit të bëjë gjithçka e të rimarrë veten pas degratimit në 23 vjet dhe sidomos në këto 8 vitet e fundit. Jemi të vendosur të vazhdojmë luftën kundër korrupsionit e krimit. Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes së policisë për të luftuar kriminalitetin në vend”- tha Tahiri.Deklaratën ai e bëri pas përfundimit të analizës vjetore të policisë së Tiranës, ku dha një përgjigje edhe lidhur me faktin e përfshirjes në listën e operacioneve të suksesshme të bluve të Tiranës, operacionin “Risperdal” ku u arrestua babai i tij për kondrabandë ilaçesh.“Dëgjova për aksionin në analizën e Policisë së Tiranës, ka nevojë për korrigjime”.Gjatë analizës vjetore të policisë së kryeqytetit, Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, tha se 83% e veprave penale në Tiranë janë zbuluar, ndërsa janë goditur 18 grupe kriminale.Po sipas statistikave të publikuara prej tij, gjatë 2013 janë evidentuar 8804 vepra penale. Ai theksoi se në 3 mujorin e fundit është 5-fishuar sasia e drogës së sekuestruar, ndërsa sa i përket hetimit të krimit financiar janë zbuluar 95% të rasteve.