Familjarët e vëllezërve Çollaku: Ministri Tahiri të zbardhë vrasjen, ose të iki

“Të zbardhet historia e vërtetë e vrasjes së dy vëllezërve Çollaku nga policia greke, ose në rast të kundërt Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të japi dorëheqje, pasi po bëhet palë me policinë helene.”

Kështu janë shprehur të afërmit e dy viktimave Melsi dhe Elton Çollaku, të cilët u vranë pak javë më parë nga efektive të policisë greke, në protestën që ata kanë zhvilluar në Bilisht të Korçëës.

“Policia jonë s’kundërshtoi shpifjet e policisë greke. Tahiri është kriminel, ai hodhi baltë mbi të vdekurit”, shprehet xhaxhai i dy vëllezërve Çollaku.

Në mbështetje të familjarëve ishin rreshtuar edhe anëtarë të shoqatës së emigrantëve “Iliria”, të cilët përveçse kanë kërkuar të vërtetën mbi këtë ngjarje, kanë shkuar edhe më tej, për të hedhur drite mbi ngjarjen e 21 janarit, ku 4 protestues u vranë në mes të Tiranës.

Protesta paqësore zgjati për 30 minuta, ndërsa u mbikqyr në distancë nga forcat e policisë së komisariatit të Devollit.