Raporti i Lirive Ekonomike, Ahmetaj: Progresi, sukses i qeverisë Rama

Ministri i zhvillimit ekonomik, tregëtisë dhe sipërmarrjes Arben Ahmetaj  e ka cilësuar raportin e lirive ekonomike, ku Shqipëria renditej në vendin e 54-t  si hapin e parë cilësor për qeverinë e re.Në një konferencë për shtyp, Ahmetaj shprehu angazhimin e qeverisë për  të adresuar të gjitha problematikat që vijnë nga komuniteti i biznesit.Deklarata e plotë e Arben AhmetajIndeksi i Lirisë Ekonomike, një indeks tejet i rëndësishëm ndërkombëtar, ka treguar se gjatë vitit të shkuar Shqipëria ka bërë disa hapa domethënës përpara në terma të lirisë ekonomike.Indeksi për Lirinë Ekonomike, përgatitur nga Heritage Foundation,  tregon se Shqipëria është përmirësuar me katër vende në klasifikimin botëror, nga vendi i 58-të, në vendin e 54-t. Po kështu, vërehet një përmirësim edhe në klasifikimin rajonal të Europës, ku Shqipëria është rritur nga vendi i 27-të në vendin e 25-të (ndër 43 vende që vlerësohen në të gjithë Europën).Ky është i pari vlerësim cilësor që Qeveria e re merr në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lirisë së të bërit biznes në Shqipëri. Në raport përmendet rotacioni politik dhe ambicia e vendit dhe e Qeverisë Rama për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.Në fakt, klima e biznesit ka qenë dhe do të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë sonë. Kur e kemi marrë në dorë qeverisjen e vendit, komunikimi biznes-qeveri ka qenë në nivelet e tij më të ulëta historike. Qeveria financonte borxhin publik me anë të detyrimeve të papaguara ndaj biznesit.Që prej Shtatorit, ne kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ripërtërirë marrëdhënien e qeverisë me biznesin. Kemi deklaruar qysh në fillim se qeveria jonë jo vetëm që do të paguante të gjithë detyrimet e prapambetura që na janë lënë nga qeveria e mëparshme, mbi 700 milionë dollarë, por edhe që do të marrim të gjithë hapat e nevojshëm dhe të domosdoshëm që kjo situatë të mos përsëritet më. Qeveria nuk mund të qëndrojë në kurriz të biznesit.Ne jemi tërësisht të angazhuar në adresimin e të gjitha problematikave që vijnë nga komuniteti i biznesit. Nga data 6 Dhjetor deri në datën 6 Janar kemi organizuar një konkurs për procedurat absurde dhe penguese Qeveri-Biznes. Aktualisht jemi duke punuar mbi një plan masash konkrete, nisur nga propozimet e komunitetit të biznesit, për të zgjidhur këto probleme.Në të njëjtën kohë, me krijimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar kemi adresuar një nevojë imediate për komunikim mes qeverisë dhe biznesit. Ky komunikim do të jetë një komunikim partnerësh, që do të prodhojë politika më të mira, në funksion të rritjes ekonomike.Kemi bërë një analizë të thellë të problemeve që kanë ekzistuar ndër vite për klimën e biznesit. Për këtë, mbetemi të angazhuar plotësisht për të luftuar korrupsionin dhe praktikat penguese ndaj biznesit në çdo moment. Qeveria e konsideron këtë raport si një hap të parë të mirë, por një hap që do të ndiqet nga një sërë aksionesh për të zgjidhur problemet më imediate në raportin shtet-biznes.Viti 2014 do të jetë viti i nisjes së reformave strukturore. Qeveria do të reformojë në thellësi të gjithë ata sektorë që kanë qenë problematike në 21 vitet e fundit, për ta nxjerrë vendin nga tranzicioni dhe për ta sjellë Shqipërinë sa më pranë Europës. Ndaj, ky është një fillim i mbarë, por që do të ndiqet nga shumë punë dhe bashkëpunim për të sjellë një vazhdim akoma edhe më të mirë.Shqipëria po bëhet një vend më atraktiv për investitorët e huaj, sikurse e kanë vlerësuar së fundmi edhe disa nga revistat më prestigjioze në botë, dhe qeveria jonë mbetet e angazhuar që të punojë për krah biznesit për të përmirësuar klimën e të bërit biznesit në Shqipëri. Ky është vetëm hapi i parë i rrugës sonë të vendosur për ta çuar Shqipërinë në drejtimin e duhur, puna jonë vazhdon në përmbushje të plotë të angazhimeve të marra.