Lazimi, Dendys: Ju inkurajojmë për reformat, mbështetje për statusin
Zv. ministri i Integrimit Evropian, Majlind Lazimi, priti sot në një takim Zv. ministren e Jashtme të Polonisë, Henryka Moscicka-Dendys. Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy shteteve dhe theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në vijim.Lazimi, njohu zv. ministren polake me reformat që po ndërmerr qeveria dhe shprehu vullnetin e palëkundur për të vijuar në këtë rrugë.“Integrimi në Bashkimin Evropian është një nga prioritetet tona më madhore, por vëmendja e qeverisë është e përqendruar në reformat e nisura, pasi procesin e integrimit e konsiderojmë si një udhëtim dhe nuk ka shumë rëndësi sa kohë do duhet për të kaluar nga një fazë në tjetrën, rëndësi ka progresi i vendit ”, tha Lazimi.Zv. ministrja Dendys, ritheksoi mbështetjen e Polonisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.“Ne shpresojmë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në qershor. Ju mbështesim në përpjekjet tuaja dhe ju inkurajojmë të vazhdoni reformat që keni nisur, si mënyra më e mirë për t’ju dëshmuar vendeve anëtare se Shqipëria meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ajo.Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera si ekonomia, turizmi apo infrastruktura.