Gjiknuri paralajmëron konçesionarët: Do heqim lejen nëse nuk zbatojnë detyrimet
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishte shumë i prerë kur tha se do të revokohen licensat për shkelësit në industrinë e kromit ndërsa nuk do të tolerohet evazioni nga kompanitë e naftës.Gjatë një takimi me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Gjiknuri theksoi se po auditohen kontratat e kompanive të hidrokarbureve.“Agjensia ka një rol të pazëvendësueshëm në monitorimin e kontratave të hidrokarbureve si edhe problemit shumë të njohur nga të gjithë të minierave. Gjatë këtyre muajve është bërë një punë e mirë si nga agjensia ashtu edhe nga strukturat e tjera të ministrisë për herë të parë një kombinim I tre strukturave, AKBN dhe RISHM-in ka zhvilluar një kontroll të imtësishëm në Bulqizë ku u morën disa masa për ato ndërhyrje emergjente. Kjo punë nuk ka mbaruar dhe kërkoj nga AKBN të merren masa edhe për detyrat e lëna nga ai kontroll. Kërkoj që brenda në afati të shkurtër të përcaktohet zona e rrezikshme në Bulqizë në mënyrë që aty të mos zhvillohet më asnjë aktivitet minerar dhe të revokohen ato licenca që operojnë në atë zonë. Kjo bëhet për të siguruar jëtën e minatorëve dhe nuk e kemi fare me industrinë e kromit pasi kjo industri është shumë e rëndësishme për eksportët e Shqipërisë, për të rigjeneruar valutë por po aq e rëndësishme është edhe jeta e njerëzve” tha Gjiknuri.Ministri gjithashtu theksoi se do të ketë një autim të imtësishëm të kontratave të kompanive të hidrokarbureve për të bërë të mundur ndalimin e evazionit fiskal.“Sektori i naftës ka marrë një zhvillim në Shqipëri, është rritur prodhimi i naftës dhe kjo është për t`u përshëndetur. Shqipëria ka pasuri natyrore. Ka një interes të vazhdueshëm dhe ju jeni në dijeni që ka interes edhe për fusha të tjera të mbetura. Ministria në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera të qeverisë do të punojë për t`i dhënë një zgjidhje edhe Albpetrolit me prespektivë. Një punë po bëhet nga Albetroli duke monitoruar këto kontrata por duhet të bëhet një punë intensive edhe nga agjensia. Vërtet prodhimi i naftës është rritur por nga ana tjetër ka edhe pikëpyetje nga publiku a po merr shteti pjesën e tij dhe kur këto kontrata do të jenë fitimprurëse për shtetin. Të ardhurat në favor të shtetit kanë ardhur duke u rritur por nga ana tjetër ka ardhur momenti që të mos miratohen më plane zhvillimi me sy mbyllur dhe kur kompanitë e hidrokarbureve paraqesin plane aspak të bazuara dhe pa asnjë logjikë ekonomike dhe bën që fitimi I atyre kontratave të shtyhet për vite. Kjo nuk do të tolerohet më dhe agjensia duhet të bëjë një auditim të imët të këtyre kontratave për të përcaktuar qartë se cilat janë shpenzimet reale që lidhen me zhvillimin e sektorit të naftës” shtoi Gjiknuri.