Islami: Statusi, fokusi i opozitës. Mbledhja e 2 qeverive, takim që do harrohet shpejt

Pas periudhës së qetësisë të diktuar nga festat e fundvitit, Kuvendi do ti rikthehet aktivitetit normal të tij. Kastriot Islami, deputet i Partisë Demokratike, shprehet se fokusi i diskutimeve të opozitës do të jetë marrja e statusit kandidat në qershor. Duke garantuar se opozita do të bëjë çdo përpjekje për të përmbyllur këtë proçes, ai shtoi se në funksion të kësaj kërkesa për llogaridhënie nga qeveria do të jetë e vazhdueshme.“Opozita do vazhdojë të punojë në disa plane. Një nga prioritetet do jetë qëndrimi, mbështetja, investigimi sa i përket çështjes së statusit. Do përdoren të gjitha mekanizmat në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin. Do kërkojë llogari ndaj qeverisë së çfarë po bën me këtë çështje. Deri më tani ka disa mesazhe nga Brukseli se pse nuk u mor statusi në dhjetor, e para është bashkëpunimi mazhorancë-opozitë. Opozita do japë kontributin e saj sesi të institucionalizohet ky bashkëpunim”tha ai.Islami përjashton dy tezat e ngritura nga qeveria për refuzimin e Brukselit në dhjetor. Sipas tij teza e ekstremistëve në Europë është totalisht e gabuar, ndërsa ajo fetare nuk ekziston. Për deputetin demokrat kryeministri Rama është në test nga Europa deri në qershor për frymën e tij proeuropiane aq dhe vullnetin për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme.“Është një qëndrim që për herë të parë në 23 vite nxiti Kryeministrat e tre vendeve të rëndësishme të BE për të dhënë përgjigje pse iu refuzua Shqipërisë dhënia e statusit. Gjermaninë nuk e pengon asnjë forcë ekstremiste në këtë drejtim, sikundër dhe Anglinë apo Francën. Teza e ekstremistëve në Europë është totalisht e gabuar, deklaratat e Brukselit ishin shuplakë për Ramën. Po kështu edhe teza fetare. Është në nivelin e mediokritetit, e palejueshme, nuk ekziston në konceptimin e BE, nuk është klub fetar. Nëse do ishte kështu Shqipëria nuk e ndryshon dot fenë dhe i bie që ne s’do mund të integrohemi asnjëherë në Europë. Rama është i përceptuar në Bruksel se ka bllokuar statusin tre vitet e fundit, ndaj Brukseli kërkon ta testojë. E dyta është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, Rama ka qenë jokoherent në qëndrimet e tij, para 21 janarit ka pasur një qëndrim për aleatin në qeverisje, ka qenë kundër vendimit të gjykatës për të. I kërkohet të jetë koherent në raport me ato që ka thënë, i zhveshur nga gjuetia e shtrigave. Ka edhe elementë të tjerë, si pushimet masive në administratë. Rama çdo ditë e më shumë do të ballafaqohet me premtimet e tij që ka bërë përgjatë fushatës” u shpreh Islami.Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Islami komentoi edhe mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Prizren, duke e cilësuar një takim të radhës që do harrohet shpejt.“Po ti referohemi Kushtetutës ajo nuk është mbledhje e dy qeverive, është takim i dy Kryeministrave. Gjëja e veçantë është që në dy rastet kemi dy ekipet qeveritare. Është takim i radhës, siç ka ndodhur shpeshherë. Në raste të tjera kanë pasur dimensione të tjera. Ishte takim i radhës dhe 90 marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani i janë shtuar dhe disa marrëveshje të reja.Është zgjedhur Prizreni për të bërë rezonancë me Lidhjen e Prizrenit që s’ka asnjë lidhje, pasi ajo ishte mbarëshqiptare. Duke bërë këtë krijon kundërshti, e patëm nga Maqedonia, Presheva. Çdo tentativë për ta vendosur në një plan me Lidhjen e Prizrenit e bën qesharake.Po të shikojmë dhe fjalimet, nuk kishte axhendë mbledhja, Ministrat ishin vetëm në kuadër të sfondit fotografik. Dhe problemi që lidhet me retorikën dhe fjalimin është me dy gjatësi vale. Shqiptarëve u thuhet se po mblidhemi për bashkim, ndërsa BE-së i thuhet se nuk ka ndryshime kufijsh. Në këto 23 vjet nuk ka asnjë forcë politike në Shqipëri që flet për bashkim kombëtar në kuptimine krijimit të një shteti të vetëm shqiptar. Por përdorin një gjuhë të paqartë, flasin për bashkim kombëtar në kuadër të bashkimit në BE. Por nëse je anëtar i BE, kufiri do jetë tranparent edhe me vendet e tjera. Duhen bërë gjëra të thjeshta pa shumë bujë, që në kuadër të integrimit europian dhe rajonal marrëdhëniet me Kosovën arrihen të bëhen më të mprehta. Fotografia që ata që bënë nuk do ngelet në histori. Gjithë kjo tentativë bëhet thjesht për çështje elektorale dhe personale. Elektorale pasi kryeministri kosovar është në prag të zgjedhjeve, por elektorati nuk është më naiv dhe s’mund të drejtohet nga kjo lloj propaganda. Nga ana tjetër Rama në këto tre muaj ka pasur një sërë mosarritjesh. Nëse Beneluksi ka qenë një model para BE-së, nuk është ky modeli që ka tani si objektiv Shqipëria, por ka model BE, duke bërë edhe një integrim rajonal. Nuk duhet të ketë një bashkim shqiptarësh për të krijuar Beneluksin. Rama nuk është në gjendje të bëjë as verën dhe as shishen dhe mundohet të punojë tek etiketa” përfundoi ai.