Idrizi paralajmëron rezolutën çame: Çështje ditësh

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, në kuadër të procesit të zgjedhjeve të brendshme në parti, zhvilloi procesin e zgjedhjes së kryetarit të PDIU-së, dega Fier. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, deputeti Dashamir Tahiri, zëvendësministrat Ardian Tana dhe Abaz Hado, ish kryetari i shoqatës Çamëria, Servet Mehmeti, etj.Në fjalën e tij, kryetari i PDIU-së, pasi përshëndeti procesin zgjedhor, deklaroi se rezoluta për çështjen çame do të prezantohet në Kuvend brenda pak ditësh, duke vendosur në provë edhe angazhimin që kanë shprehur të gjitha partitë politike për çështjen çame.“Shumë shpejt ne do të kemi provën e zjarrit për të gjitha partitë politike. Është çështje ditësh tashmë që të prezantohet në Kuvend, Rezoluta për Çështjen Çame, një dokument që do të vendosi përpara provës të gjithë deputetët shqiptarë. Unë jam i sigurt se nuk do të ketë ‘rrjedhje’ siç kishte në vitin 2004, ndonëse shumë prej 53 deputetëve që u larguan nga seanca, janë sot sërish në sallën e parlamentit.” – u shpreh Idrizi.Gjatë fjalës së tij, Shpëtim Idrizi theksoi nevojën për konsolidimin e strukturave të partisë, në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, si një domosdoshmëri për të çuar përpara çështjet e mëdha të programit politik të PDIU-së."Është e rëndësishme që përfaqësimi ynë të jetë sa më i madh. Ne duhet që të kemi prezencën tonë. PDIU ishte forca e parë parlamentare që theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së çështjes kombëtare, të bashkimit kombëtar, si një detyrim kushtetues, të zgjidhjes së çështjes çame, si një plagë e kombit tonë. Sot, me kënaqësi dëgjoj nga shumica dërrmuese e politikës shqiptare që flet për kombin dhe atdheun. Kjo i duhet kombit dhe ne e mirëpresim, nuk na bën xheloz. Çështja çame dhe çështja kombëtare do të gjejnë zgjidhjen. Ne do të kthehemi në vatrat tona në Çamëri, në vatrat kombëtare të shqiptarëve, që shtrihen nga Preveza në Mollën e Kuqe” -tha ai.Në procesin zgjedhor për kryetarin e PDIU-së dega Fier morën pjesë dy kandidatë. Pas votimit sipas parimit një antar një votë fitues u shpall Nustret Avdullai. Procesi zgjedhor do të vijojë edhe në ditët në vijim në qytete të tjera. Rezoluta për çështjen çame nuk u miratua në vitin 2004, çka çoi në themelimin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.