PD akuza qeverisë dhe INSTAT: Po shtrembërojnë statistikat për nevoja politike

Instituti i Statistikave vazhdon të jetë në qëndër të akuzave mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit deri dje e akuzuar nga opozita e djeshme për shtetëzim të saj, është kthyer në akuzuese të qeverisë aktuale. Ish.ministri i Financave, Alfred Rushaj, akuzoi kabinetin Rama se po shtrembëron statistikat për nevoja politike.“Me shumë bujë, INSTAT publikoi rezultatet e vlerësimit tremujor të GDP-së për tremujorin e tretë të 2013. Kreu i paligjshëm i këtij institucioni, pa e fshehur kënaqësinë, deklaroi se më në fund, pas 31 tremujorësh me rritje pozitive, tremujori i trete i 2013 paska rezultuar me rritje negative prej 2,26%, dhe sigurisht për këtë na u dashka fajësuar qeverisja e mëparshme. Skenari është i qartë dhe i lexueshëm: tremujori i tretë të dalë negativ, meqenëse në drejtim kanë qenë ende demokratet, dhe nga tremujori i katërt kur në pushtet kanë ardhur socialistët, të filloje optimizmi, rritja, me një fjale, të ndrisë çdo gjë”tha ai.Rrushaj u ndal në 3 të dhëna të rëndësishme të publikuara vetëm një ditë më parë nga INSTAT, të cilat sipas tij janë dëshmi e qartë se futja e duarve në shifrat e statistikave te vendit është bërë me ngut.“Mjafton një analizë e thjeshtë për të kuptuar se këto të dhëna janë të manipuluara dhe se futja e duarve në shifrat e statistikave te vendit është bërë me ngut, pa kujdes, dhe shkel e shko. Po paraqesim këtu 3 fakte. Së pari, na del se tremujori sipas shifrave të publikuara, turizmi ne tremujorin e dytë, pra në pranvere, paska pasur turizëm më të madh se sa tremujori i tretë që është tremujori i muajit të verës. Industria nxjerrëse e cila ka rritje të eksporteve për rreth 22% krahasuar me të njëjtin tremujor të 2012, çuditërisht del me rënie me rreth 4%. Së treti, GDP-ja tremujore përgatitet bazuar në deklaratat tatimore të cilat siç e dimë tashmë ato mungojnë dhe për këto nuk është përdorur asnjë burim alternativ të dhënash për të zëvendësuar deklaratat që mungojnë” theksoi ish zëvendës. ministri i Financave.Në përfundim të deklaratës, Rrushaj adresoi një thirrje për kryeministrin Edi Rama.“Është e qartë se qeveria dhe INSTAT po kryejnë një krim të rëndë, po fusin duart në shifrat që institucionet e pavarura paguhen për t’i deklaruar të pandryshuar. I bëjmë thirrje kryeministrit që të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura, ti lërë ato të bëjnë punën e tyre dhe shqiptarët të dinë se cila është në të vërtetë ekonomia e vendit të tyre”.