Shpërdorim detyre, KLSH padit ish-drejtuesin dhe 6 nëpunës të ZVRPP Korçë
Shtatë nëpunës të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, përfshirë këtu edhe ish-Regjistruesin me iniciale K.B., janë kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre. Padia erdhi pas auditimit të KLSH-së të ushtruar në këtë institucion për periudhën e veprimtarisë 2011-2012.Kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Korçës dhe sipas KLSH-së këta persona në kundërshtim të plotë me legjislacionin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, kanë kryer një sërë shkeljesh në drejtim të regjistrimit të pasurive të paluajtshme me pasojë përfitime të paligjshme të titujve të pronësisë nga subjekte privatë në dëm të pasurisë shtetërore dhe konkretisht:Nga auditimi rezultoi që këta nëpunës kanë kryer regjistrime të pasurive të paluajtshme dhe kanë lëshuar çertifikata të pronësisë në zonën rurale-urbane, për një sërë subjektesh private, të cilat nuk kanë patur asnjë titull pronësie. Kështu, në 11 raste këta persona kishin regjistruar më tepër një sipërfaqe prej 4400 m2 të llojit arë, truall dhe arë+truall, ku në veçanti, vetëm për zonën turistike të Voskopojës janë dhënë në kundërshtim me ligjin 1,960 m2.Kjo sipërfaqe e tepërt, e regjistruar nga këta punonjës në favor të subjekteve përfitues dhe në tejkalim të normës ligjore të përcaktuar në Aktet e Marrjes në Pronësi të Tokës (AMTP), bie në kundërshtim me ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, i ndryshuar, ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, UKM nr. 2, datë 08.04.2009, UKM nr. 1, datë 31.01.2007 “Për Procedurat e Regjistrimit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, rregulloren e ZQRPP-së, VKM nr. 1025, datë 09.07.2008, si dhe Urdhrin e K/Regjistruesit nr. 1400, datë 25.10.2010.Për pasojë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nisur nga shkalla e lartë e dëmit të shkaktuar ndaj pasurisë shtetërore dhe shkeljet e rënda që këta nëpunës të ZVRPP, Korçë kanë kryer në tejkalim të kompetencave të tyre ligjore, përgatiti dhe depozitoi pranë organit të prokurorisë, kallëzimin përkatës për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” duke rekomanduar njëkohësisht institucioneve përgjegjëse edhe largimin e menjëhershëm nga detyra të këtyre nëpunësve.