Abuzime me ndihmën ekonomike e paaftësinë, SHSSH kallëzon Komunën e Krrabës

Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kallëzoi sot në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Krrabë, si dhe Përgjegjësen e Seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se nga 228 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Komunën e Krrabës, 193 prej tyre e kanë përfituar ndihmën ekonomike në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, mes të cilëve edhe familjet e Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Komunës.Sipas vlerësimit paraprak, për periudhën e kontrolluar 9 mujore të vitit 2013, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 7.124.722 lekë.Shkelje të tjera u evidentuan edhe gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara, ku rezultoi se nga 52 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në Komunën e Krrabës, 8 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore.Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Krrabë, si dhe Administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Komunës Krrabë.Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.Shërbimi Social Shtetëror po vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë së Kufizuar dhe do të kallëzojë në Prokurori të gjitha shkeljet e gjetura në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.