A jemi në gjendje ta shohim Europën?

Pak ditë më parë lexova një artikull interesant, titulli i të cilit ndër të tjera shkruante “sa qorra jemi ndaj Europës”. Edhe pse ndaj shqetësimin e autorit, më duhet ta korrigjoj me shumë dashamirësi. Korrigjimi im lidhet me fjalën e përdorur. Sa për të tjerat, verbëria jonë ndaj Europës është diçka që duket, ashtu si një fshat i madh që nuk do kallauz. Fatkeqësisht, sjellja jonë ndaj Europës, në vend që të jetë sjellja e një vendi të vogël, por dinjitoz, vazhdon të mbetet sjellja e një fshati të madh, por pakëz të çmendur. Lazarati nuk është më kot kuintesenca e Shqipërisë moderne: liri, vëllazëri, barazi, demokraci dhe marijuanë për të gjithë. Edhe për Europën. Shteti ligjor mund të presë, deri në të korrurat e tjera. Askush nuk e sheh Lazaratin, por ai është aty. Para syve të të gjithëve.Por, përballë verbërisë sonë, Lazarati nuk është i vetëm. Ne e dimë mirë, si banorë të sprovuar të “fanarit ndriçues të revolucionit komunist botëror”, se gjatë shekullit që shkoi kemi qenë në gjendje të mos shohim realitete shumë më të mëdha sesa Lazarati. Momenti erdhi, dhe fanarit ndriçues iu mbarua vaji. Në fund të fundit çdokush korr atë që ka mbjellë. Ne shqiptarët, pavarësisht ankesës klasike sipas së cilës “Europa na injoron”, e dimë fort mirë që mes nesh ka shumë nga ata që Europën as denjojnë ta shohin. Verbëria jonë ndaj vlerave, institucioneve dhe politikave europiane nuk është zvogëluar me kalimin e kohës; ajo është shtuar, ashtu siç është shtuar arroganca dhe agresiviteti ndaj tyre. Është pikërisht kjo arrogancë ajo që disa prej nesh kanë dëshirën ta keqkuptojnë, dhe pafytyrësinë ta interpretojnë, si vetë-afirmim dhe vetëbesim.Një thënie nga një njeri që admiroj dhe një tjetër nga dikush që e njoh mirëNë leksionin e fundit që mbajti në universitetin e Palermos, gjyqtari Giovanni Falcone u pyet nga studentët: “A mendoni se politikanët siçilianë përdorin mafien për të arritur synimet e tyre?” Përgjigjja ishte e thjeshtë, siç ishin të gjitha fjalët e këtij njeriu: “Jo, nuk mendoj kështu. Është krejt e kundërta. Është mafia ajo që përdor politikanët për të arritur synimet e saj.” Disa ditë më vonë mafia përdori më shumë se pesëqind kilogramë tritol për t’i marrë jetën. Falcone ishte një njeri jo si të tjerët. Ai e urrente arrogancën e mafies që kontrollonte shoqërinë. Ai nuk e pranonte vetëbesimin e saj. Ai zgjodhi, në mes të një mjedisi thuajse totalisht të kontrolluar nga mafia, të sillej si dikush, të cilin ne sot ndoshta e kemi të vështirë ta imagjinojmë: si një qytetar europian. Koha i dha të drejtë. Pesëqind kilogramët e tritolit e projektuan Giovanni Falcone-n përtej legjendës, përtej lëvdatave, përtej mbrojtjes së pamjaftueshme të shtetit, përtej dimensionit thjesht njerëzor: ato gjithashtu e zhytën mafien e plotfuqishme më poshtë se vetë ferri.Disa ditë më parë, një avokat shqiptar më tha: “Sado e çuditshme të duket, gjatë të gjithë karrierës sime mund të kem fituar më shumë se 200 çështje, dhe për asnjërën nuk kam paguar ndonjë lek.” Avokatin e njoh mjaft mirë. Ajo për të cilën çuditem është fakti se ai e quante të mirëqenë çudinë që shkaktonin fjalët e tij. Përse? Sepse ky avokat e dinte se aktiviteti i tij zhvillohej në një vend jo si të tjerët. Ky vend nuk ndodhet në Europë. Ky vend quhet Shqipëri.Gjithsesi, për t’u kthyer te titulli i artikullit të përmendur në fillim, më duhet të them, për të qenë të paktën politikisht korrekt, se ne ndaj Europës nuk jemi qorra. Ne jemi të verbër. Edhe pse në thelb kjo nuk ndryshon asgjë, korrigjimi gjuhësor thekson atë peshë respekti dhe humanizmi që u detyrohemi njerëzve që vërtet nuk shikojnë – mbi 10 000 të verbërve të Shqipërisë. Ndërsa, përsa u përket atyre të verbërve shqiptarë që nuk duan të shikojnë, nuk ka sesi mos të jem dakord me zotin Erebara, autorin e shkrimit në fjalë. Sepse në Shqipëri ka njerëz që nuk duan ta shohin Europën. Në Shqipëri ka njerëz që nuk munden ta shohin Europën. Në Shqipëri ka njerëz që nuk do ta shohin kurrë Europën. Në Shqipëri vazhdon të ketë nga ata që shohin tek Europa atë që duan vetë, dhe që politikat e saj, që shprehimisht kundërshtojnë imponimin, shantazhin dhe dhunën si “vazhdim i politikës me mjete të tjera”, por që mbështeten mbi bashkëpunimin, kondicionalitetin, subsidiaritetin, përfaqësimin, reformën dhe konsensusin, i konsiderojnë si dobësi.Por “dobësia europiane”, ashtu si çdo dimension europian, e ka një kufi. Refuzimi europian i 17 dhjetorit ishte një lajm i papritur vetëm për të painformuarit. Prej kohësh Europa jepte sinjale të qarta se ç’kërkohej prej nesh. Dhe ajo nuk kërkonte të pamundurën. Kërkonte të hapnim sytë dhe të shihnim. Këto sinjale klasa jonë drejtuese i kishte marrë me kohë, por përballë “dobësisë europiane”, ajo nuk shqetësohej edhe aq. Situatën e mbante lehtësisht nën kontroll duke e fshehur pas formalitetit të deklaratave të zyrtarëve, informalitetit të batutave të politikanëve, thashethemeve të shtypit dhe gjykimeve vanitoze të një kategorie personash, që përmes tymit të një katrahure të frikshme fiskale, ligjore dhe morale, ende e shohin veten në rolin legjitim të elitës dhe të formësuesve të opinionit.A e ka kuptuar vallë politika shqiptare se jemi ne ata që duhet të ndryshojmë? Apo mos vallë për ne, institucionet europiane nuk janë dhe aq të denja sa duhet? Mos vallë ne, apo disa nga ne, jemi emancipuar kaq shumë sa më në fund kemi kuptuar se këta europianë, këto institucione “të flashkëta” europiane, të paafta të imponojnë dhe të pazonja të diktojnë, në fund të fundit nga afër nuk janë aq efektive sa duken dhe të bukura sa ç’na i shesin? Sepse korrupsionin nuk e kemi shpikur ne, por europianët e kanë bërë të parët? Sepse ne kemi qenë gjithmonë qytetarë europianë, ndoshta edhe më të mirë dhe më të zotë se europianët, por janë vetë këta të fundit që na pengojnë të shkojmë në Europë? Pse kur jemi kaq të mirë, ata s’na duan? Çfarë absurditeti të jetë vallë ky?Për të mos marrë përgjegjësinë e papërballueshme të monopolit të së vërtetës, më lejoni të shtroj disa pyetje të tjera: A ishte verbëri shkatërrimi i shtetit nga menaxherët e ndryshimeve demokratike të Shqipërisë? A ishte verbëri dhe krim krijimi i hapësirave për pandëshkueshmërinë e krimeve ordinere? Po atyre shtetërore? Po mosçelja e dosjeve dhe e dënimeve të sistemit komunist a ishte verbëri? A ishte verbëri masakra e pronave, e legalizimeve, e bregdetit? A ishte verbëri masakra e firmave piramidale? A ishte verbëri rrahja e dy protestuesve të verbra? A është verbëri të njohësh vrasjen por të mos dënosh vrasësin, të konstatosh grabitjen dhe të mos dënosh grabitësin, të vëresh shkeljen dhe të legjitimosh shkelësin?Dhe më lejoni në fund ta mbyll me një konstatim, për të cilin besoj se jemi dakord të gjithë: jo, ata që i kanë bërë të gjitha këto nuk ishin aspak të verbër. Ata shihnin, dhe vazhdojnë të shohin mjaft mirë. Është koha që ne të hapim sytë./Burimi mapo.al/