Në Turqi vijojnë protestat, Erdogan vijon pushimet dimërore me familjen
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan vazhdon të qëndrojë i pashqetësuar edhe 10 ditë pas shpërthimit të skandalit të korrupsionit, ku përfshiheshin edhe njerëz të afërt me të. Megjithë protestat në shumë qytete, Erdogan po shijon pushimet në Manisa, në një qytet të vogël në Perëndim të Turqisë ndërsa ka theksuar se nuk do të japë dorëheqjen. Erdogani flet për shtet brenda shtetit, i cili drejtohet nga bota e jashtme.Shumë besojnë se për zbulimin e skandalit përgjegjësinë e mban lëvizja Gülen. Ajo drejtohet nga predikuesi Fethullah Gülen, i cili jeton që prej viteve 90 në SHBA.Kjo lëvizje ka aleatë në drejtësi dhe polici dhe përfaqësohet fort në institucione të rëndësishme të shtetit. Por kjo nuk është për t'u çuditur, sepse Lëvizja Gülen dhe partia e Erdoganit AKP ishin dikur partnere. Ato qenë aleate në luftën kundër ushtrisë turke.Ndërkohë opinioni publik turk reagoi i shokuar, kur pa pamjet e miliona eurove, të cilat ndodheshin në kartone këpucësh në shtëpinë e drejtorit të bankës shtetërore Halkbank. Pamje të tjera tregonin makina që numëronin para në vendbanimin e djalit të ish-ministrit të brendshëm.Analistët thonë se zgjedhjet lokale në 30 mars mund të sjellin qartësi. Ato konsiderohen si test për zgjedhjet presidenciale gushtin e ardhshëm. Shumë besojnë se Erdogani do të kandidojë sërish. Por deri atëherë ai duhet të jetë i sigurtë që partia e tij do të vazhdojë të ketë një shumicë te zgjedhësit.