Nishani merr mesazhin e Papa Françeskut për Ditën e 47-të Botërore të Paqes
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti sot në një takim Nuncin Apostolik, Arqipeshkvin Ramiro Moliner Inglés, në të cilin ai i dorëzoi Presidentit Nishani Mesazhin e Papa Françeskut për Ditën e 47-të Botërore të Paqes (1 Janar 2014), me temë “Vëllazëria, themeli dhe udha tek paqja”.Kreu i Shtetit u ndal në vlerësimin dhe mirënjohjen e Tij personale si dhe të popullit dhe shtetit shqiptar ndaj mbështetjes dhe miqësisë së ofruar në vite nga Selia e Shenjtë.“Promovimi i vlerave, principeve dhe shembujve që na përcillen nga Selia e Shenjtë, por dhe Misioni juaj këtu janë me rëndësi të madhe për vendin tonë”, u shpreh ndër të tjera Presidenti Nishani.Kreu i Shtetit nënvizoi kontributin që Shqipëria ka dhënë në vite për arritjen dhe konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë me vendet e Rajonit të Ballkanit.Në vijim, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart figurën dhe shembullin pozitiv të lënë nga veprimtaria e Nënë Terezës si dhe mesazhet dhe iniciativat e Papa Françeskut në shërbim të paqes, si shembujt më të mirë për të cilat Bota sot ka nevojë.Nunci Apostolik, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés, falenderoi Presidentin për pritjen e rezervuar dhe në fjalën e tij iu referua Mesazhit të përcjellë nga Papa Françesku që dëshiron “t’u drejtojë të gjithëve, individë dhe popuj, urimin për një jetë të mbushur me gëzim dhe shpresë” duke vënë në dukje se “në zemrën e çdo burri dhe gruaje, në fakt, banon dëshira për një jetë të plotë, ku bën pjesë nevoja e domosdoshme për vëllazëri, e cila shtyn drejt bashkimit me të tjerët, tek të cilët nuk shohim armiq apo konkurrentë, por vëllezër, që duhet t’i pranojmë dhe përqafojmë”.