“Ndihmo edhe ti” për Mitrovicën, Basha letër mirënjohje nga homologu kosovar

Bashkia e Tiranës i është bashkuar nismës së komunës së Mitrovicës “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.Kryebashkiaku Basha i ka akorduar 100 mijë euro komunës së Mitrovicës, për meremetimin e këtyre shtëpive. Kjo ndihmë e kryebashkiakut Basha është përshëndetur menjëherë nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, nëpërmjet një letre drejtuar zotit Basha, në të cilën shkruhet:“Kam kënaqësinë e veçantë që nëpërmjet të kësaj letre të shpreh falënderimin më të thellë për kontributin tuaj në aksionin humanitar "Ndihmo edhe Ti", për rindërtimin e shtëpive të djegura nga lufta në pjesën veriore të Kosovës. Ju jeni bërë pjesë e rikthimit të jetës së banorëve shqiptarë në pjesën e atdheut tonë, të cilët u ndoqën gjatë dhe pas luftës nga trojet e tyre stërgjyshore, nën dhunën e falangave serbe, për çka u jemi mirënjohës për jetë të jetëve” - përfundon mesazhin e falënderimit, kryetari i komunës së Mitrovicës.