Ilegalët kundër vendosjes së kufirit

Të ashtuquajturit deputetë të katër komunave veriore të Kosovës, kanë vendosur në mbledhjen e tyre të përbashkët të mbajtur të enjten në veri të Mitrovicës, që të mos pranojnë vendosjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinë dhe Bërnjak.“Përfaqësuesit e popullit kanë mbrojtur qëndrimet e krerëve lokalë të veriut, se duhen garanci të forta dhe të shkruara se qytetarët do të kenë lirinë e plotë të lëvizjes në pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak, pastaj se mund lirshëm ta përdorin dokumentacionin e tyre të lëshuar nga Republika e Serbisë, targat dhe të tjerat, si dhe të mos kërkohet zhdoganimi i mallrave të ndryshme të dedikuara për veriun dhe tatimimi i tyre në favor të Prishtinës”, thuhet mes tjerash në vendimet nga kjo mbledhje.Kryetarët ilegalë të veriut të Mitrovicës, Zveqanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kanë njoftuar po ashtu deputetët rreth detajeve gjatë bisedimeve të tyre të mbrëmshme në Beograd me kryetarin e Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrin Ivica Daqiq.Në fund të këtij takimi, me propozim të kryetarit ilegal të Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, deputetët lokalë kanë vizituar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë ku po bëhen përgatitjet e terrenit për vendosjen e kontejnerëve, duke i dorëzuar punëkryesve konkluzionet nga mbledhja e sotme, dhe duke kërkuar nga ta ndërpërerjen e menjëhershme të punimeve në ndërtimin e kufirit.