Carla del Ponte: Haradinaj u lirua për mungesë dëshmish
Prokuroria nuk ka mundur të paraqesë dëshmitë e duhura për dënimin e Haradinajt, pohon ish - kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për krime në hapsirën e ish-Jugosllavisë, Carla del Ponte, duke mos u shprehur aspak e befasuar nga lirimi i Haradinaj.“Jo, nuk jam aspak e befasuar. Haradinaj është shpallur i pafajshëm edhe në procesin e parë, ndërsa ky ishte tani procesi i dytë. Unë i kam ndjekur të gjitha hetimet kundër tij dhe në bazë të tyre kam përpiluar aktakuzën. Aktakuza është konfirmuar nga një gjykatës i Tribunalit por gjatë procesit ka qenë shumë e vështirë nxjerrja e dëshmive. Disa dëshmitarë nuk janë paraqitur në proces, ndërsa të tjerët kanë ndryshuar deklaratat e tyre. Ky ka qenë problemi kryesor, ndaj Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Gjykata e apelit më pas ka vendosur që procesi të përsëritet. Por edhe në procesin e dytë problemi ka mbetur i njëjti: nuk janë paraqitur dëshmitë e nevojshme për dënimin e Haradinajt” tha ajo.Lidhur me zhdukjen e disa dëshmitarëve, madje edhe vrasjen e tyre ajo ka deklaruar për DW se nuk ka njohuri për rezultatet e hetimeve, që janë bërë në Kosovë lidhur me këto raste, si rezultat i mosprezencës së saj në Hagë, por ka shtuaj del Ponte, është fakt është që dëshmitë nuk kanë mundur të paraqiten në Hagë.E pyetur lidhur me reagimet negative në Serbi, Carla del Ponte u përgjigj:“Kjo është e vërtetë dhe unë kam mirëkuptim për Serbinë. Por Serbisë duhet t'i shpjegohen në veçanti të dhënat për rastin Haradinaj - se si erdhi deri te ky vendim. Duhet kuptuar se jo gjithmonë para gjykatave mund të prezantohen dëshmitë e duhura dhe kjo ka si pasojë lirimin e personit të akuzuar. Ajo që mua më shqetëson është vendimi lidhur me procesin e Gotovinës. Ky vendim ishte për mua një befasi shumë e madhe, ndaj Serbia natyrisht që ka pasur të drejtë kur ka reaguar aq ashpër siç ka reaguar. Edhe unë kam qenë e shokuar. Në instancën e parë Gotovina është dënuar dhe dëshmitë ekzistojnë. Kjo natyrisht që nuk është e mirë për drejtësinë ndërkombëtare”.E nëse ky vendim do të ulë bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën e Hagës, sic ka deklaruar Rasim Ljajiq ajo tha:“Nuk do të thotë shumë, sepse tani kanë mbetur të përfundojnë edhe proceset e fundit. Kjo nënkupton dërgimin e dëshmitarëve në Hagë, ndërkohë që dëshmitë janë janë depozituar atje prej vitesh. Besoj se ulja e nivelit të bashkëpunimit në një nivel teknik nuk ka asnjë domethënie. Bashkëpunimi teknik do të mjaftojë për vazhdimin e këtyre proceseve”.Ndërsa vendimet e fundit të dala nga kjo gjykatë kanë acaruar raportet mes Serbisë dhe Kroacisë , ndërkohë që disa politikanë në Beograd tani kërkojnë ndërprerjen e dialogut me Prishtinën, a mundet që pikërisht këto vendime gjykate të influencojnë në raportet mes shteteve në Ballkan?“Unë nuk mund të deklarohem lidhur me këto gjëra, sepse këto janë çështje politike. Prokuroria e ka kryer punën e vet dhe këtë punë e ka kryer siç duhet. Ndërkohë që përgjegjësinë për vendimet i ka gjykata. Unë mendoj se prokuroria e ka kryer mirë punën e vet”.Në përfundim del Ponte tha se në gjykatën e Hagës po zhvillohen proceset e fundit dhe me shumë gjasa gjykata do të mbyllet në vitin 2014.