Nikoliç kundër vendimit të Hagës për Haradinaj: Me fqinjët nuk ka më raporte të njëjta

Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, për të cilin ndërkombëtarët mendojnë se mbase është transformuar në njeri të bashkëpunimit me BE-në, ka folur sot në Kralevë lidhur me vendimin e Tribunalit të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe të dy gjeneralëve kroatë.Sipas tij, “prapa vendimeve për lirim të tyre fshihet dëshira e bashkësisë ndërkombëtare që Kroacia të hyjë e pastër në BE dhe të udhëheq procesin kundër Serbisë dhe popullit serb, si dhe që institucioneve të përkohshme në Prishtinë t’iu mundësohet që me Beogradin të negociojnë pa hipotekën e krimeve që i ka kryer UÇK-ja”.Ai apeloi politikanët serbë që tani të kërkojnë atë që i bashkon qytetarët, e ajo është dëshira që Serbia të ekzistojë, kurse ajo që i ndan të mbetet për kohë më të mira.“Përderisa të mos kemi zgjidhje, para nesh shtrohet detyra të cilën askush i vetëm nuk mund ta zbatojë, përkatësisht të bisedojmë me shqiptarët, por në raporte krejtësisht të tjera, tashti kur e kemi të qartë se çka kërkojnë realisht ata të cilët pohojnë se diçka të tillë nuk e duan (faktori ndërkombëtar). Ata e duan Kosovën e pavarur dhe që ne të bisedojmë me një shtet të tillë. Me një shtet të tillë asnjë politikan prapa të cilit qëndron populli nuk do të bisedojë”, porositi Nikoliç.Ai madje shkoi aq larg sa që tha se pas lirimit të Ramush Haradinajt do të duhej që nga Gjykata e Hagës të lironte të gjithë serbët e akuzuar për krime të luftës në ish-Jugosllavi.Duke folur në nderimin e viktimave serbe të Luftës së Dytë Botërore në Kralevë, ai tha se Gjykata e Hagës nuk po i gjykon krimet mbi serbët dhe ajo është gjykatë e padrejtë, sepse po dënon vetëm serbët.“Pas kësaj nuk ka raporte të njëjta me të gjithë fqinjët”, tha ai.