Krimet serbe “ekspozohen” në Beograd, 3 kosovarë faktojnë me foto masakrën e familjes

Për krimet serbe në Kosovë është diskutuar gjatë, është protestuaur dhe së fundi ka ish-paramilitarë serbë që i pranojnë, por tre të rinj kosovarë i kanë dëshmuar masakrat përmes një ekspozite të veçantë. E cilësuar nga serbët si provokim, ekspozita e tyre fotografike është hapur në Beograd.Saranda, Jehona dhe Fatos Bogujevci me 28 mars të vitit 1999 arritën ti mbijetonin masakrës në Podujevë, nga njësiti i forcave serbe i njohur me emrin “Shkorpionët” , të cilët vranë 14 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë.Ekspozita “Bogujevci – histori vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës” u hap nën masa të rrepta sigurie për shkak të kundërshtimeve nga ana e grupeve radikale serbe që e cilësuan atë një propagandë dhe një provokim shqiptar.Në një fjalim të shkurtër për të pranishmit, Saranda ka shfaqur shpresën se publiku beogradas do ta vizitojë ekspozitën.“Kemi ndjenjën se e kemi pasur të shkruar të mbijetojmë për të treguar historinë tonë, për të treguar të vërtetën. Shpresoj se njerëzit do të vijnë për ta parë ekspozitën”, ka thënë Saranda.Ndërsa serbët protestonin kundër kësaj ekspozite, vizitor i veçantë i saj ka qenë kryeministri serb Ivica Daçiç,i cili bëri thirrje për dënimin e krimeve të kryera në të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë.“Do të doja të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullatës civile në luftërat në ish-Jugosllavi. Në anën tjetër, uroj që e vërteta të mund të tregohet kështu në të gjitha pikat e ish-Jugosllavisë: edhe në Zagreb, edhe në Knin, edhe në Sarajevë, edhe në Banjallukë, edhe në Prishtinë”, tha ai.Tre të mbijetuarit e kësaj masakre kanë dëshmuar në vitin 2009 në proçesin gjyqësor kundër pjestarëve të njësive serbe që vranë të afërmit e tyre. Katër ish-paramilitarë serbë janë dënuar me nga 20 vjet burg, ndërsa një me 15 vjet heqje lirie për vrasjen e civilëve shqiptarë.