Panariti ankohet për buxhetin: Duam më shumë fonde për kullimin dhe vaditjen

Ministria e Bujqësisë kërkon më shumë para për kullimin dhe ujitjen. Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Ministri Edmond Panariti, ka raportuar në lidhje me fondin që i është përcaktuar institucionit që ai drejton dhe ka deklaruar se fondi i përcaktuar për këtë sektor është shumë i vogël.Kreu i Bujqësisë u shpreh se janë kërkuar të paktën 1 miliard lekë për të zhdukur njëherë e mirë mundësitë e përmbytjes së tokave bujqësore, ndërkohë që i janë akorduar vetëm 100 milion lekë.Ish-ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, gjithashtu e konsideroi fondin e përcaktuar si mjaft të vogël për bujqësinë, një sektor të cilin e përcaktoi si të rëndësishëm për ecurinë e ekonomisë në tërësi.Në përfundim të diskutimeve, kryetari i komisionit të Veprimtarisë premtoi se do ti kërkohet qeverisë që të rishikohet fondi për bujqësinë.Në komision u ngritën edhe një sërë problemesh të tjera që shqetësojnë bujqësinë, siç është gjetja e tregjeve për prodhimet vendase si dhe efektet që do të ketë rritja e naftës në këtë sektor.Pikërisht për të ndërmarrë disa nisma në lidhje me këtë çështje është kërkuar që të krijohet një regjistër me të dhënat për bujqësinë dhe fermerët në mënyrë që të ndërhyjnë institucionet qendrore por edhe të përthithen fondet nga Bashkimi Europian.Për vitin 2014, sektorit bujqësor i është akorduar një shumë prej rreth 8 miliard lekësh në tërësi.