Vorpsi mbledh Komitetin rajonal antitrafik: Plan pune kundër trafikimit

Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, mblodhi sot Komitetin Rajonal Antitrafik, për të bashkërenduar punën e institucioneve në nivel qarku. Gjatë takimit ku merrnin pjesë drejtues të drejtorive rajonale të qeverisjes qendrore dhe vendore, Vorpsi theksoi se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore si për shfrytëzimin seksual ashtu edhe për shfrytëzimin në punë, cilësohet si një ndër format e reja abuzive të shkeljes së të drejtave të njeriut. Sipas tij, ky trafik është sot i ndihmuar jo vetëm nga globalizimi i botës moderne, por edhe nga gjendja social-ekonomike e personave që bëhen pre e këtij fenomeni.“Qeveria, duke i dhënë seriozitetin maksimal kësaj çështje, që është sot një fenomen mbarë botëror, ka angazhuar pesë struktura të posaçme, pjesë e të cilave është edhe Komiteti Rajonal Antitrafik. Si kryetar i këtij komiteti, ju garantoj që kemi qenë e do të jemi gjithmonë të angazhuar maksimalisht në çështjet që lidhen me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore” – u shpreh Prefekti Vorpsi.Siç theksoi ai, ky komitet ka marrë përgjegjësitë e menaxhimit të metropolit, që është duke u përballur përditë e më shumë me një popullsi që vjen gjithmonë e më në rritje.“Institucioni jonë ka si detyrë kryesore parandalimin e fenomenit të trafikimit, mbrojtjen e familjeve, grupeve, personave dhe fëmijëve në rrezik ose potencial trafikimi, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të detyrave vendore antitrafik. Për identifikimin e problemeve parësore në nivel Qarku, të gjithë institucionet përbërës të këtij komiteti në zbatim të strategjive kombëtare antitrafik, si dhe në përputhje me masat përkatëse ligjore që parashikohen për secilin institucion, kanë për qëllim identifikimin, referimin dhe zgjidhjen e rasteve konkrete dhe më pas shtrirjen e punës mbrojtëse” – theksoi Prefekti.Komiteti Rajonal Antitrafik i Qarkut Tiranë ka hartuar një plan pune, ku parashikohet bashkërendimi i të gjitha veprimeve antitrafik, që kjo luftë të mos mbesë vetëm në kornizën e anëtarëve të komitetit, por të përfshijë brenda saj të gjitha strukturat e organeve të qeverisjes vendore, siç janë bashkitë, komunat dhe njësitë bashkiake.Në fund të takimit, Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton për t’u angazhuar në vazhdimësi dhe për të ruajtur bashkëpunimin mes institucioneve dhe komunitetit.