Bozdo: Deri në 2011 në Tiranë derdhej beton, sot po shtojmë hapësirat e gjelbra
Bashkia e Tiranës ka vijuar mbjelljen e pemëve në Tiranë. Sot aksioni ka vijuar në rrugën “Dritan Hoxha” ku janë mbjellë 2500 bimë dekorative të tipit orleando.Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e bashkisë për të shtuar gjelbërimin në Tiranë. Ndërkohë që deri në vitin 2011 në Tiranë derdhej vetëm beton.Bashkia sipas Bozdos po krijon hapësira të gjelbra përmes rikualifikimit urban dhe mbjelljes së pemëve.“Në këtë sezon ne parashikojmë të mbjellim më shumë se 4 mijë pemë dhe bimësi dekorative. Vetëm gjatë këtij mandati të Bashkisë së Tiranës kemi mbjellë gjithsej 12 mijë e 500 pemë përgjithësisht bli, gështenjë por dhe lloje të tjera dhe 10 mijë e 600 bimë dekorative dhe kjo është një shifër shumë e kënaqshme. Nga ana tjetër, nëpërmjet rikualifikimit urban të lagjeve brenda përbrenda Tiranës ne kemi gjelbëruar më shumë se 26 mijë metra katrorë dhe gjelbërimi i Tiranës, shtimi i hapësirave të gjelbërta, përmirësimi i atyre ekzistuese ka për të qenë, është, do të jetë gjithmonë e gjithmonë në prioritetin numër një të punës së Bashkisë së Tiranës. Shfrytëzoj rastin të bëj thirrje jo vetëm kompanive por edhe individëve, të cilët ashtu si dhe un, si dhe kolegu im sot, kontribuan në mbjelljen e disa bimëve, të kontaktojnë Bashkinë Tiranë për t`i bërë një donacion, ndoshta simbolik, por që po bëhet në emër të shumë qytetarëve dhe kur është një gjest që pastaj pasohet nga të tërë, merr vlerë të madhe.Secili të kontribuojë qoftë edhe me një pemë të vetme për qytetin e tij për të rritur gjelbërimin dhe për të lënë diçka edhe për brezat e tjerë” theksoj Bozdo.