Shpëtim Gjika gjykim në Tiranë, vendimi për transferimin e dosjes nga gjykata e lartë

Gjykata e Lartë ka vendosur që kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, të gjykohet në Tiranë. Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së qytetit bregdetar, pasi ky qytet nuk ofronte kushtet për zhvillimin e një proçesi të rregullt gjyqësor.Kërkesa e akuzës, erdhi vetëm pak ditë pasi u zhvillua seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Vlorës. Në kohën kur brenda sallës së gjyqit ndodheshin të pandehurit, jashtë ndërtesës së kësaj Gjykatë dhjetra mbështetës të kryetarit të Bashkisë qëndruan në pritje të rrjedhës së proçesit.Të ndodhur në këto kushte dhe nga frika e ndonjë trazire apo ndikueshmërie tek gjyqtarja e çështjes, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të transferojë dosjen.Sipas Prokurorisë, deri në një vendim të Gjykatës së Lartë, dosja do të vazhdojë shqyrtimin pranë Gjykatës së Vlorës, ku të pandehurit do të përballen me akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe ndërtimit të paligjshëm.Më konkretisht bëhet fjalë për objektin që ndodhet te vendi i quajtur “Tre racat”, ndërsa objekti i dytë ndodhet brenda territorit të portit.