Taksat si goditje ndaj të aftëve

Qeveria e ka bërë fakt të kryer paketën e re fiskale, dhe java që sapo filloi do të jetë e mbushur thjesht me debate pro dhe kundër. Taksat e reja do të jenë ato të vendosura në mbledhjen “sekrete” në Kryeministri. Akoma edhe sot, në faqen e Kryeministrisë nuk ka një njoftim që qeveria ka miratuar buxhetin dhe paketën e re fiskale. I vetmi njoftim është ai i Kuvendit. Ky i fundit, edhe pse institucioni ligjvënës i shtetit, nuk u përfshi në negociata me FMN-në e Bankën Botërore, dhe tashmë i ngelet vetëm të mbrojë me votë politike produktin fiskal. Pavarësisht kësaj, dëmi apo zhvillimi që i vjen ekonomisë dhe vendit nga ligjet fiskale dhe buxheti 2014, e suprimon trajtimin që u bën qeveria ligjvënësve.***Paketa e re fiskale dhe buxheti nuk sulmojnë vetëm dinjitetin e deputetëve. Përgjithësisht, taksat dhe tatimet e reja sulmojnë të gjithë pjesët e shoqërisë, si ata një milion të papunët, apo një milion shuplakat, ashtu edhe pjesën tjetër. Ashtu siç kishte premtuar në fushatë, Edi Rama vendosi të tatonte më shumë ata që fitojnë më shumë. Vendosi që kush ka një pagë mbi 130 mijë lekë në muaj, të paguajë një normë fitimi historike prej 23 përqindësh për çdo qindarkë që merr më shumë se kjo shifër. Parimi i taksës progresive është parim solidariteti. Pra, ndarja e fitimeve me ata që kanë më pak. Parimi është i qartë, por aplikimi në Shqipërinë e sotme nuk ka të bëjë me solidaritetin. Shifrat e miratuara nga qeveria, më shumë se për solidaritet, tregojnë një lloj antipatie vetëm për një shtresë të caktuar të shoqërisë. Nga taksa progresive përfitojnë 97% e të punësuarve dhe penalizohen 3 për qind e tyre. Do të mjaftonte kjo statistikë për të treguar se tatimi i ri i vendosur nga qeveria nuk ka të bëjë me solidaritetin. Nuk mundet që 11 mijë të punësuar të jenë solidarë ndaj 340 mijë të tjerëve. Ndryshimi më shumë ngjan me shpalljen e luftës ndaj 11 mijë personave që kanë një pagë mbi 130 mijë lekë.***Në kushtet e sotme, pas propagandës fituese të zgjedhjeve dhe premtimit të votuar, gjithçka është normale dhe e parathënë. Asnjë nuk mund të jetë i habitur nga kjo taksë. Përgjithësisht opozita e atëhershme dhe sot qeveria është përpjekur për ta përfshirë këtë fashë të shoqërisë si pjesë me zyrtarët e korruptuar, me ministra apo deputetë, me biznesmenë që zhvatin të mirat e shqiptarëve. Dhe këtë ia ka arritur. Po të shikosh rrjetet sociale apo të dëgjosh bisedat mes qytetarëve, kjo taksë e re është më e përkrahura. Sepse shumica e popullsisë i barazon ata që kanë të ardhura të larta me korrupsionin, me biznesmenë që përfitojnë nga lidhjet qeveritare, me përfitues që rrisin varfërinë e tyre, me politikanë që janë pasuruar me ryshfete. Në fakt, këta të fundit janë shumë pak. Pjesa dërrmuese e atyre që do të taksohen më shumë nuk kanë lidhje as me korrupsionin, as me politikën, as me zyrat e licencave dhe sallat e operacioneve, as me hipotekat dhe drejtoritë. Në të kundërt, taksa për të gjithë këta burokratë “që i pinë gjakun popullit” do të ulet. Ministri i Ekonomisë e tregoi me tabelë se deri në nivelin e “drejtorit të Përgjithshëm”, e gjithë administrata pëson ulje të tatimit. Qeveria e përjashtoi pjesën dërrmuese të administratës, pra “zyrtarët gjakpirës”, të cilët do paguajnë më pak nga taksa e re.***Ata që do të taksohen më shumë janë pjesa më e aftë e popullsisë. Janë ata që gjatë kohës kur disa deputetë bënin biznes, ishin në shkolla. Janë ata që gjatë kohës kur disa politikanë bënin lëmsh vendin me vendimet apo mosvendimet e tyre, kryenin studime pasuniversitare. Janë ata që e kanë kaluar pjesën më të bukur të rinisë, nga mosha 18 deri në 30 vjeç, duke u thelluar në maksimum në studime, duke u aftësuar shkencërisht, dhe jo duke blerë diploma për t’u bërë deputetë apo duke pritur që ndonjë shok partie t’i emërojë në krye të dikastereve më të larta, për aftësi tejet personale për t’u ndarë me publikun. Qartësisht, zv.ministrat, ministrat dhe deputetët janë shumë pak në numrin prej 11 213 personave që do të tatohen më shumë nga 1 janari. Pjesa dërrmuese e tyre janë njerëzit që i japin vlerë të shtuar ekonomisë, shoqërisë dhe zhvillimit të vendit. Shumica dërrmuese e 11 213 personave që do të tatohen më shumë janë sot drejtues jo në shtet, por në sektorin privat. Janë ekonomistët, juristët, avokatët, informaticienët më të mirë të vendit. Se ndryshe nga qeveria, ku për t’u bërë drejtor duhet të kesh mik apo teserë partie, në sektorin privat vlen dija dhe aftësia. Ka me dhjetëra ministra dhe drejtues të paaftë të politikës së këtij vendi, por e sigurt që nuk ka asnjë drejtues dhe punonjës të asnjë biznesi privat që të jetë i paaftë apo të ketë blerë shkollën.***Është e sigurt gjithashtu që shumica e 11 213 të mbitaksuarve nga taksa e re nuk janë të pasur. Sepse këta janë shumica e kreditorëve të bankave që paguajnë këstet e shtëpive në kohë, sepse kanë marrë kredi duke u bazuar te aftësia, shkollimi, që i jep siguri për punën që kanë, dhe jo nga paratë e korrupsionit apo aferave të tjera që sërish nuk tatohen. Janë ata që kanë blerë makina të reja në shoqëritë koncesionare, me kredi, të sigurt për të ardhmen që kanë, dhe jo makina të vjedhura apo të blinduara prej 700 mijë eurosh. Janë ata që kanë marrë kredi për t’u shkolluar në universitetet më të mira ndërkombëtare, të sigurt që dijet që do të marrin do t’i shpërblejnë me vlerësimin e punës që kryejnë, dhe jo ata që blejnë diploma apo sponsorizojnë fushata për të qenë deputetë.Pra, është shtresa që jeton mirë, jo me korrupsion, por me aftësitë e veta. Që e ka bazuar të ardhmen te merita, dhe jo te korrupsioni. Duke qenë e tillë, kjo fashë e popullsisë përbën dhe rrezikun më të lartë për çdo qeveri. Kjo fashë e popullsisë nuk e bazon mendimin te pamundësia për të mbijetuar, por te aftësia dhe dijet e veta. Kjo pjesë elitare dhe e shkolluar e vendit nuk e nxit logjikën nga varfëria, por nga e drejta. Numri i vogël i njerëzve që përbëjnë këtë shtresë pasqyrohet në politikëbërjen dhe vendimet që merren për këtë vend. Zhvillimi i Shqipërisë që nga viti 1912 e tregon qartë se sa pak kanë qenë. E sigurt është që shtimi i kësaj shtrese do ta bënte më të përgjegjshëm çdo vendim qeveritar apo parlamentar. Sikundër është e sigurt që mbitaksimi i kësaj shtrese, kaq e vogël në numër sa është sot, nuk përbën solidaritet, as më shumë të ardhura për buxhetin, por vetëm varfërimin dhe sulm ndaj dinjitetit të saj. Sa më të varfër të jenë, aq më pak do mendojnë me logjikën e zhvillimit dhe aq më shumë do manipulohen nga logjika e mbijetesës. Është kjo arsyeja se përse po sulmohet pikërisht kjo fashë e shoqërisë. Në absurdin e vet, qeveria pranon të taksojë 23 për qind meritën, dhe nuk e rrit asnjë cent taksimin e dividendit, pagën e biznesmenëve.***Por nuk është vetëm kjo elitë që preket nga buxheti dhe paketa e re fiskale. Duke përjashtuar të gjitha efektet e paketës së re me kosto 180 milionë dollarë taksa më shumë, qeveria po tallet edhe me dinjitetin e të gjithë popullsisë. Në buxhetin 2014 është parashikuar që të shlyhen rreth 220 milionë USD borxhe që Tatimet dhe Doganat i kanë biznesit si TVSH e parimbursuar dhe tatim-fitimi i paguar. Për të bërë këtë, qeveria ka programuar që të rrisë borxhin e brendshëm dhe të marrë një hua nga FMN dhe Banka Botërore. Në një vend normal, ky do të ishte një hap i qartë drejt një partneriteti të ndershëm mes qeverisë dhe biznesit. Qeveria nuk do të jetë borxhlije ndaj sipërmarrjes. Por, ka një shifër tjetër, që as ministri i Financave, por as edhe ideatori i kësaj ndershmërie nuk e përmendin në ligjëratën e tyre. Në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet që borxhi që biznesi u ka Tatimeve dhe Doganave, pra qeverisë, arrin shifrën e 750 milionë dollarëve. Asnjë fjali nuk ka thënë Kryeministri apo ministri i Financave për këtë shifër. Në të kundërt, po merr borxh tjetër, pra po përdor kursimet e shqiptarëve sot, apo kredi të tjera që do rëndojnë mbi qytetarët nesër.***Paketa e re fiskale tregon se ekonomistët e BB dhe FMN nuk kanë fare besim te qeveria. Nuk kanë besim te shifrat e korrupsionit galopant, sepse po të kishin, nuk do të rritnin taksat, por do të ulnin korrupsionin dhe të ardhurat do të ishin më të larta. Nuk kanë besim te ministri i Financave, se po të kishin, do të ulnin ekonominë informale (është 35% sipas Bankës Botërore dhe 50% sipas raportit të DASH), dhe nuk do të mbitaksonin biznesin e ndershëm. Nuk kanë besim as te zhvillimi ekonomik i vendit, se po të kishin, do të zgjerohej baza e tatueshme, do të kishte rritje të ardhurash.Në fund të dhjetorit paketa fiskale do të miratohet. Kryeministri dhe ministri i Financave do të mbajnë një fjalim plot me histori korrupsioni, me SMS nga qytetarë të kënaqur, me arkën e shtetit bosh. Pavarësisht patetizmave që do të dëgjojmë këtë javë në sallën e Kuvendit, paketa e re fiskale dhe Buxheti 2014 është qartësisht një shuplakë e madhe për të 3 milionë shqiptarët. Duke filluar nga 1 janari ajo do t’u dhembë edhe atyre një milionëve që e besuan këtë qeveri, pavarësisht se këta të fundit mund të gëzohen, se më shumë i është skuqur faqja elitës dhe pjesës së ndershme të këtij vendi./Burimi panorama.com.al/