Lezhë, nis fushata e pyllëzimit, Koka mbjell "pemën e parë" të sezonit të ri
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj inaguruan sot fillimin e një projekti për përmirësimin dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra në Qytetin e Lezhës.Projekti filloi në lagjen “Besëlidhja” ku janë mbjellë fidanët e parë. Në fjalën e tij, Kreu i Bashkisë Viktor Tushaj falenderoi Ministrin Koka për financimin e projektit. Ai u shpreh i kënaqur për politikën e re mjedisore të Ministrisë së Mjedisit.Ministri Koka tha se zonat e degraduara, zonat e mbrojtura dhe ato urbane do të kenë vëmendjen e Ministrisë se Mjedisit. E gjithë kjo për të dhënë shembullin e mirë në mbrojtjen dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbërta, dhe sigurisht do të jetë një model që do të ketë rol në edukimin e publikut për një mjedis të gjelbërt e të pastër”.Pas përurimit Ministri i Mjedisit Lefter Koka, is shoqëruar edhe nga Kreu i Bashkisë, Viktor Tushaj, ka përshkuar në këmbë zonat kryesore të qytetit, për të parë nga afër situatën mjedisore në Lezhë.Gjatë ditës sotme në kuadër të sezonit të pyllëzimit ka filluar edhe mbjellja e rreth 6500 fidanëve pyjorë në një sipërfaqe prej 10 hektarësh në afërsi të lumit Mat. Ky projekt do të ketë një impakt të dukshëm në mbrojtjen e argjinaturës, rritjen e sipërfaqes pyjore dhe mbrojtjen e tokave bujqësore. Kjo zonë është gjithashtu pjesë e zonës së mbrojtur të Kune-Vainit, një zonë me vlera të mëdha për biodiversitetin.Para Lezhës, Ministri i Mjedisit ishte në Durrës për të përuruar projektin e gjelbërimit të korpusit Universitar ndërsa në javët e ardhshme sezoni i pyllëzimit do të vijojë me aksione te tjera per mbjelljet në Vlorë, Elbasan, Korcë, Dibër etj.