Berisha takon Benkirian: Bashkëpunim mes dy vendeve
Kryeministri Berisha ka shprehur nevojën e thellimit të marrëdhënive dypalëshe mes Marokut dhe Shqipërisë, si në ekonomi, turizëm, energjetikë, kulturë, etj.Gjatë një takim me Kryeministrin e Marokut Abdel- Illah Benkiran, gjatë qëndrimit të tij në Strazburg, shefi i qeverisë Sali Berisha përsëriti ftesën që investitorët marokenë të vijnë në Shqipëri, duke nënvizuar veçanërisht si fushë me interes hidro-energjinë.Kryeministri Berisha vlerësoi se është e rëndësishme ndërtimi i një axhende bashkëpunimi me fushat me interes për të dy palët.Kryeministri Benkiran shprehu mbështetjen për propozimin e Kryeministrit Berisha për një axhendë bashkëpunimi për të forcuar më tej lidhjet vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona.Në të njëjtën kohë, Kryeministri Benkiran vlerësoi si shumë të vlefshme eksperiencën e tranzicionit shqiptar, eksperiencë nga e cila mund të mësojë shumë edhe shteti që ai përfaqëson. Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Shqipërinë ai i vlerësoi si shumë të rëndësishme, pasi afrimi i dy popujve do t`i shërbejë më mirë konsolidimit të demokracisë marokene.Kryeministri Berisha pasi siguroi Kryeministrin Marekon për qëndrimin e Shqipërisë, e cila njeh i integritetin e Marokut, u ndal në situatën në rajon e në veçanti në Kosovë, ku theksoi se procesi që ka nisur aty është i pakthyeshëm. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shpreh se autoritetet shqiptare do ta vlerësonin së tepërmi nëse autoritetet marokene do të merrnin në konsideratë njohjen e shtetit të ri të Kosovës.Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u ndal në Konferencën e Nivelit të lartë që parashikohet të zhvillohet në Shqipëri në datën 9 nëntor, me rastin e përmbylljes së Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.