Ish-të përndjekurit, FRD kërkon seancë të jashtëzakonshme
Partia “Fryma e Re Demokratike” ka kërkuar sot seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ish-të përndjekurit politik.Ndërsa i është referuar gjendjes së rënduar të ish-të burgosurve politikë të cilët ndodhen në grevë urie, deputeti Gazmend Oketa ka theksuar se Parlamenti duhet t`i kërkojë qeverisë të zgjidhë situatën e ish-të përndjekurve politikë.“Greva e urisë e ish-të përndjekurve politik është një akuzë në drejtim të qeverisë për frymën e saj diskriminuese. Duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e kësaj situate. Kuvendi duhet të zbatojë ligjet që janë miratuar prej tij dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-të përndjekurit” tha Oketa.Ai gjithashtu ka kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit për zgjidhjen e kësaj situate duke vendosur urat e dialogut mes ish-të burgosurve politik dhe institucioneve shtetërore.Ndërkohë më herët, ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca i cili ndodhej në grevë urie i ka vënë flakën vetes në tentativë për t`u vetëflijuar.Ai është dërguar me urgjencë në QSUT ku po merr edhe ndihmën mjekësore pas djegieve që ka pësuar në trup.Në një prononcim për mediat, mjeku Ilir Nezha ka theksuar se përgjigjja e saktë për gjendjen shëndetësore e Gjergj Ndrecës do të jepet pas 48 orësh pasi ai tashmë ndodhet në terapi intensive. Sipas mjekut, Ndreca ka djegie në 40 % të trupit dhe në fytyrë dhe djegia i ka prekur rrugët respiratore.Ndërkohë, ish- i përndjekuri politik Gjergj Ndreca është vizituar sot nga përfaqësues të aleancës “Kuqezi”. Ata kanë akuzuar qeverinë për situatën e krijuar me ish-të përndjekutit politik të cilët ndodhen prej 17 ditësh në grevë urie.“Qeveria dogji popullin. Berisha është fytyra më çnjerëzore e 100 viteve të fundit. Edhe pse ai është mjek me profesion është katil në politikë. Vetëflijimi i Ndrecës është një akt që kishte 40 vite nuk ndodhte në Evropë” deklaruan përfaqësuesit e AK-së.