Haxhinasto: Gjithçka që energjia të ketë ecuri pozitive
Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto ka deklaruar sot se qeveria shqiptare ka vullnetin që të bëjë gjithçka që energjetika, si sektori më i prioritar i ekonomisë në vend, të ketë një ecuri pozitive dhe të përballojë me sukses sfidat aktuale.Kreu i METE-s e ka bërë këtë deklaratë gjatë takimit me Drejtoreshën Rajonale për Europën Juglindore të Bankës Botërore, znj. Jane Armitage.Ministri Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Bankën Botërore, e cila ka mbështetur prej vitesh përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin e vrullshëm të një sërë sektorëve të ekonomisë shqiptare.Nga ana e saj, znj. Armitage, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e suksesshëm me qeverinë shqiptare, ndau të njëjtin mendim me z. Haxhinasto përsa i përket nevojës për t`ju përgjigjur sfidave që sektori energjetik po kalon, e sidomos arritjes së zgjidhjeve përsa i përket problematikës financiare mes operatorëve energjetikë në vend.Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u angazhuan për një rol më aktiv të donatorëve në këtë sektor dhe në një kohë të shkurtër u ra dakort organizimi i një Konference donatorësh, nën kujdesin e METE-s, për të trajtuar objektivat e përbashkëta për permirësimin e sektorit energjetik në vend.