Hagë, sot jepet vendimi për Ramush Haradinajn

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, shpall sot vendimin përfundimtar për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.Të tre ish-luftëtarët e UÇK-së janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për tortura të të burgosurve të UÇK-së.Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.Partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të transmetojë drejtpërdrejt shpalljen e vendimit të sotëm, përmes ekraneve gjigante të vendosura në Prishtinë, Gjakovë, Deçan, Pejë etj.