Deklaratat e Berishës, mediat greke paralajmërojnë krizë të thellë
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë. Pas anulimit të vizitës së ministrit të jashtëm grek Dimitris Avramopulos për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, njoftimin e fundit të këshillit të ministrave ku theksohet se daklaratat e kryeministrit Berisha i referohen kontekstit historik të 100 viteve më parë është lexuar nga mediat greke si një tërheqje e Tiranës zyrtare."Sali Berisha ndryshoi pas incidentit diplomatik me Athinën" shkruan gazeta greke Ta nea, ndërsa thekson se episodi mund të çojë në një krizë të madhe mes dy vendeve.Kryeministri Berisha mbrëmjen e 27 nëntorit nga Vlora foli për të gjitha trojet shqiptare nga Preveza në Preshevë duke shkaktuar një furtunë reagimesh në Athinë."Deklaratat e Berishës s'kontribuojnë për fqinjësi të mirë" theksohet në faqen e ministrisë së jashtme greke.Por mediat greke shkojnë përtej këtyre deklaratave, duke akuzuar dy liderët kryesorë se po përdorin nacionalizmin për interesat e tyre politikë.Mediat greke rikujtojnë se çarje serioze në marrëdhëniet shqiptaro-greke ka pasur në vitin 2011, që u shkaktuan nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të anuluar marrëveshjen detare që u nënshkruar nga të dy vendet.Historia e marrëdhënieve dypalëshe vazhdon të jetë e tensionuar edhe në lidhje me trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri dhe përpjekjet e përsëritura nga ana e Shqipërisë për çështjen çame, duke i kërkuar qeverisë greke të kthehen pronat e tyre.