Haradinaj: Së shpejti do të rimarrë pozicionin tim si lider politik

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj  ka reaguar pas lirimit nga Gjykata e Hagës. Nëpërmjet një deklarate të publikuar nga avokati i tij Ben Emmerson, Haradinaj  thekson se ai së shpejti do të rimarrë pozicionin e tij si lider politik i vendit.Së shpejti do të ri-marrë pozitën si lider politik i vendit, për të udhëhequr qeverinë që përfaqësoj  të gjithë qytetarët e Kosovës, çfarëdo gjuhe që ata flasin, nga cilido vend që vijnë dhe pavarësisht përkatësisë etnike. Është koha për pajtim” ka theksuar Haradinaj.Më tej avokati mbrojtës ka theksuar se më në fund, pas shtatë vitesh të gjata dhe dy gjykimeve gjithashtu të gjata, Gjykata vendosi drejtësi ndaj Ramush Haradinajt dhe popullit të Kosovës.“Me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe bekimin e qytetarëve, ai do të përfundojë punën që nisi kur u bë kryeministër në vitin 2004, duke mundësuar shtetësi të plotë për pavarësinë e Kosovës. Ky vendim, që pason procesin më të gjatë dhe më të mundimshëm në historinë e së drejtës ndërkombëtare, është një dëshmi e tërësishme e pafajësisë së zotit Haradinaj”, theksoi avokati Emmerson duke shtuar se është koha e fundit që armiqtë e Kosovës së lirë të pranojnë këtë vendim të historisë.Emmerson ka kërkuar edhe nga ish prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Carla del Ponte, e cila edhe ka ngritur aktpadinë kundër tij, që “t’i kërkojë falje zotit Haradinaj dhe të gjithë kosovarëve për gabimet e rënda të gjykimit të saj në këtë rast”.