Gjermeni për dorëheqjen e Odeta Nishanit: I ofruam pozicion ekuivalent
Një ditë pasi zonja e parë Odeta Nishani deklaroi dorëheqjen e saj nga posti që mbante në Ministrinë e Turizmit, ka ardhur dhe deklarata e Ministres, Eglantina Gjermeni. Në një deklaratë për mediat ajo sqaron se znj. Odeta Nishani, nga drejtore e Drejtorisë së Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut iu propozua pozicioni drejtore e Drejtorisë së Marketingut dhe Promocionit Turistik, post ekuivalent me pozicionin e mëparshëm që znj. Nishani mbante. Ministrja shprehet se znj.Nishani e pranoi këtë detyrë dhe më pas u dorëhoq.“Me shkresën nr. 1511/1, dt. 23.10.2013, Departamenti i Administratës Publike ka dërguar listën e nëpunësve civilë të ish-Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për t'u vlerësuar për sistemim në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në përgjigjen e dhënë Departamentit të Administratës Publike nga Ministrisë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me shkresën nr. 279/1, dt. 04.11.2013, konfirmohet lista e nëpunësve civilë, ku znj. Odeta Nishani, nga drejtore e Drejtorisë së Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut iu propozua pozicioni drejtore e Drejtorisë së Marketingut dhe Promocionit Turistik, post ekuivalent me pozicionin e mëparshëm që znj. Nishani mbante, detyrë të cilën ajo e pranoi. Mbi këtë bazë, me shkresën 1511/7, dt. 11.11.2013, Departamenti i Administratës Publike ka emëruar znj. Odeta Nishani në pozicionin drejtor në Drejtorinë e Marketingut dhe Promovicionit Turistik, në Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Turizmit, në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në dt. 03.12.2013, znj. Odeta Nishani, paraqiti njoftimin për dorëheqje te Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, gjë për të cilën po bëhen veprimet përkatëse konform ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil" dhe VKM nr. 360, dt. 14.7.2000 "Për lirimin nga Shërbimi Civil"thuhet në deklaratë.Ndërrimi i pozicionit sipas Ministres Gjermeni u bë sipas një strukture organike bazuar në dy prioritete.“Si Ministri e re, referuar fushave të përgjegjësisë, Ministia e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka dy prioritete thelbësore, zhvillimin urban dhe zhvillimin e turizmit. Struktura organike, me emërtimet e drejtorive dhe pozicionet e cdo vendi pune u ndërtua mbi bazën e dy prioriteteve të zbërthyer në drejtime mëtë detajuara. Në këtë kontekst, ish-drejtoritë që mbulonin këto dy fusha përgjegjësie në ish-Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ish-Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, u gjykua që të kalonin në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Kalimi i punonjësve respektivë është bërë nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike dhe konkretisht, Ministria e Kulturës kaloi në listë pritje pranë DAP-it punonjësit e ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Turizmit. Në strukturën organike të ish-Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të miratuar me urdhërin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, nr. 141, datë 05.12.2012, Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit dhe Trashëgimisë, ishte e përbërë nga tre drejtori, përkatësisht Drejtoria e Planifikimit të Turizmit, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria e Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut, me gjithsej 21 punonjës. Në strukturën e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, emërtimi është "Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit", e përbërë nga tre drejtori, Drejtoria e Politikave dhe Planifikimit të Turizmit, Drejtoria e Standardeve, Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve dhe Drejtoria e Marketingut dhe Promocionit Turistik, me gjithsej 19 punonjës. Përsa më lart, rezulton se drejtoritë e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit i përgjigjen plotësisht karakterit dhe përmbushjes të prioritetit themeltar për zhvillimin e turizmit” sqaron MZHUT.Një ditë më parë bashkëshortja e Presidentit Nishani, Zonja e Parë, Odeta Nishani, lajmëroi dorëheqjen në rrjetin social fb. Nishani deklaroi se është larguar nga kjo Ministri pas krijimit të një atmosfere fyese dhe të papranueshme. Ajo shkruan se presioni psikologjik dhe shkrirja e strukturave ekzistuese po përdoren që punonjësit e kësaj Ministrie të vetëlargohen nga puna.