Basha takon Shpend Ahmetin, Tirana dhe Prishtina me një plan bashkëpunimi

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka pritur sot në një takim Kryetarin e zgjedhur të komunës se Prishtinës, Shpend Ahmeti. Basha e ka uruar për zgjedhjen në këtë post, duke i uruar suksese në përmbushjen e misionit në shërbim të  përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Prishtinës.Basha, ka shprehur angazhimin e tij dhe të Bashkisë së Tiranës, për ta thelluar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës.Mes dy qyteteve pritet të hartohet së shpejti një plan konkret dhe i detajuar bashkëpunimi në fushën ekonomike, kulturore, sociale etj.Basha dhe Ahmeti kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë së të gjitha Njësive Vendore shqiptare. Kryebashkiaku Basha shprehu bindjen se përmes një bashkëveprimi mes të zgjedhurve vendore në këtë Asamble, do të kontribuohet në vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë mes shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.Basha, ka vlerësuar si një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën organizimin për herë të parë të zgjedhjeve vendore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.Këto zgjedhje, tha kryebashkiaku Basha ishin një fitore e madhe për demokracinë dhe për aspiratën e popullit të Kosovës, për të ecur të sigurt drejt anëtarësimit me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare si OKB, Nato, BE, etj.Basha theksoi se zgjedhjet vendore, dëshmuan se shteti i Kosovës me të gjithë tërësinë territoriale të saj po forcon çdo ditë pozitat në arenën ndërkombëtare, si një shtet i konsoliduar e demokratik.