“Pse”-të e krimit dhe politika e vjetër

Krimi është një dukuri sociale që ka treguar turbulenca të ndryshme, shpeshherë ka dominuar totalisht shoqërinë e institucionet dhe duke shkaktuar tektonika me pasoja afatgjata, siç është rasti famëkeq i vitit të mbrapshtë 1997. Në historinë e kriminalitetit shqiptar postkomunist, katalogu i veprave penale është pasuruar ndjeshëm. Nisur prej disa fenomeneve të krimit të rrugës, ringjalljes së hakmarrjes dhe gjakmarrjes, në vitet e para 1992-1994 filloi të marrë rrugë dhe fenomeni i trafiqeve të qenieve njerëzore, kultivimit të bimëve narkotike e më vonë dhe korrupsioni, i cili u bë dhe mbuloja për vrullin e pandalshëm të krimit që u pasurua me trafiqet e drogave të forta, prostitucionit, trafiqet e veprave të artit, të organeve etj. Paratë e pista vërshuan në vend duke u ricikluar në ekonominë kombëtare pa asnjë pengesë. Intelektualët u kthyen në të varfër, kriminelët në miliarderë, duke dhënë kështu një shembull të shëmtuar, një antimodel, se si me rrugë të paligjshme jo vetëm bëhesh i pasur, por fiton dhe status të privilegjuar në shoqërinë shqiptare. “I forti i lagjes” që vret, kërcënon, nuk njeh asnjë ligj, vjedh e shpenzon paratë me politikanët, deputetët, policët, prokurorët, gjyqtarët, u bë modeli më i preferuar dhe më produktiv në një shoqëri me një politikë të çoroditur e tejet të korruptuar.Vrasja e një djali të njomë në një shkollë në Durrës ngriti fortunalin e politikës, e cila u turr të nxirrte përfitime nëpërmjet një shfaqjeje makabre dhe cinike ku dhimbja e familjes, shokëve të klasës, por dhe tronditja e shoqërisë tentohej të zhvendosej në një plan dytësor, ndërsa në prapaskenë ndërroheshin si në një kaleidoskop fytyra politikanësh, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veçse gatuesit e kësaj katrahure, pasi për të paktën 8 vitet e fundit janë strumbullarët injorantë të pasigurisë së jetës dhe pronës. Pikërisht këta aktorë të rëndomtë, në mënyrën më të pashpirt nuk iu bëri syri tërr as para trupit të vdekur të një fëmije që iku pa shijuar asgjë nga jeta. Si qytetar, si deputet, por dhe si ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, më mundojnë disa “pse” që politika shterpe e Sali Berishës duhet t’u përgjigjet përpara se të derdhë lot krokodili para njerëzve të vrarë! Sepse është ai dhe shpura e tij që nga 21 vjet demokraci, kanë qeverisur plot 13. Është ai dhe ata që i vijnë si liliputë pas që kanë faturën e kusureve më të mëdha para popullit shqiptar. Skërmitjet e tij në foltoren e Parlamentit nuk janë gjë tjetër veçse imoralitet e cinizëm mbi jetët e ikura tragjikisht. Por nuk ka munguar në ketë zullum as ndonjë i majtë, me mbiemrin Toska, derivat i klaneve të krimit! Ndërsa pyetjet që duan përgjigje janë:1- Pse politika që u rrëzua më 23 qershor dhe administrata e ndërtuar prej saj deri dje nuk e ndau veten asnjëherë nga krimi, korrupsioni, nga arbitrariteti, nga dhuna verbale, nga shkelja e ligjit?! Pse sot që s’ka asgjë në dorë është tmerruar nga hapat e sigurt drejt përmirësimit të rendit e të qetësisë, duke i zbuluar dhe petët e lakrorit që e servirën për 8 vjet e që helmuan gjithë sistemin e sigurisë?!2- Për ç’motive politika berishiane tregoi injorancë në vijimësi në politikat antikrim, duke ia lënë në derë këtë luftë vetëm Policisë së Shtetit, një koncept primitiv e vrastar, duke lënë jashtë dhe të paorganizuar apo mobilizuar aktorët e tjerë të shoqërisë dhe të shtetit, si individin, institucionet lokale e qendrore, biznesin, organizatat joqeveritare si dhe grupin e institucioneve ligjzbatuese?! Mos ndoshta çorganizimi i politikave antikrim është bërë i qëllimshëm, për të spostuar vëmendjen ndaj krimit të veshur me pushtet të tipit Gërdec, apo fenomeneve të tjera të pazbuluara, por që kanë lulëzuar nën kujdesin e politikës së korruptuar?!3- Për ç’arsye deri më sot nuk u ndërtua një strategji kombëtare për parandalimin e krimit? Pse nuk u analizua asnjëherë kriminaliteti shqiptar postkomunist? Pse nuk u hartua harta e krimit, hartografia e kriminalitetit, pse nuk u meditua dhe nuk u reflektua asnjëherë për faktorët kriminogjenë, për reduktimin dhe shuarjen sa më të mundur të tyre, e pse Policisë “iu minua territori” me të gjitha format e metodat e mundshme për të penguar krijimin e  një elite policore? Pse u politizua e u keqpërdor Policia si instrument në duart e politikës, më shumë si nëndetëse politike, sesa si strukturë antikrim? Pse u shthur struktura policore në disproporcion fatal me dinamikën e kriminalitetit? Pse u vranë 245 policë dhe u plagosën 251 të tjerë?!4- Cili mund të jetë shkaku që organet ligjzbatuese: Polici, Prokurori, Gjykatë dhe institucione penitencare (burgje) kanë nivel të lartë korrupsioni e, për pasojë, ligji godet rrufeshëm mbi shtresat sociale të mesme dhe të varfra dhe është i pazbatueshëm, thuajse një nocion abstrakt, inekzistent, për pjesën me potencë politike dhe ekonomike, duke cenuar kështu rëndë besimin e opinionit publik te këto institucione?!5- Si shpjegohet që krimi i organizuar u zhvillua vrullshëm në sasi e në cilësi, në multikriminalitet dhe në modus operandi, në fuqi operacionale dhe kushtëzuese, jo vetëm duke gllabëruar pasuri, para e të mira publike, por duke imponuar edhe procese ligjbërëse në favor të tij? Riktheksojmë rastin e Gërdecit, ku Legjislativi liberalizon ligjin e shitblerjes së armëve pikërisht për llogari të një biznesi të pistë nën kujdesit e kupolës drejtuese të shtetit dhe fëmijëve të tyre. Pse 50% e transaksioneve bankare është jashtë rrugëve bankare dhe pse ekonomia kombëtare është han pa porta për depërtimin e parave të pista?6- Me ç’proces dhe përkundër cilit shpërblim u zbeh dhe u rrënua kontrolli horizontal dhe vertikal i territorit, duke lejuar “principata autonome”, siç është Lazarati, që operojnë e funksionojnë si shtet brenda shtetit, të famshme si të tilla jo vetëm kombëtarisht, por edhe në nivel planetar?7- Kush mund të sqarojë se pse popullsia penitenciare e shqiptarëve në burgjet e huaja është e barabartë, madje ndoshta më e lartë se ajo në burgjet tona? Ku shkojnë, ku investohen dhe si legalizohen paratë dhe produktet e tjera që rrjedhin nga krimi edhe jashtë territorit shqiptar?8- Pse nuk është trajtuar dhe goditur sa dhe si duhet  patologjia pandemike e krimit të të ashtuquajturave “jaka të bardha”?9- Pse reformat e njëpasnjëshme e ciklike në Polici është preferuar të reduktohen në kuadrate organigramash e në emra të perveçëm, pa prekur strategjitë, planet e veprimit, vizionin, filozofinë, kulturën, përgatitjen profesionale, pajisjen, logjistikën, teknologjinë e kushtet e punës e të jetesës së personelit policor?10- Pse rrogat në Polici janë lënë qesharake në raport me rreziqet, sakrificat dhe rëndësinë altruiste të këtij profesioni, në raport me kushtet social-ekonomike në kufijtë e ekzistencës së jo pak   familjeve të policëve? Pse cilësia e rekrutimit e efektivave të agjencive ligjzbatuese është e politizuar, tribale dhe me satus të ulët social dhe sa e ka dëmtuar kjo performancën e shërbimeve ndaj popullatës? Pse Policia u kthye në një parcelë eksperimentale për kaldajistë, elektricistë, marangozë, zooteknikë, veterinerë e agronomë, të cilët pa asnjë motiv e asnjë cilësi profesionale ushtruan detyra drejtuese duke e banalizuar kupolën drejtuese në Don Kishotë që meritën e vetme kishin teserën e partisë në pushtet?!Mund të vazhdoja edhe më shumë e shumë “pse” të tjera. Europa ku të gjithë aspirojmë të integrohemi, e konsideron veten një hapësirë sigurie, drejtësie dhe lirie. Ky trinom është dhe do të mbetet virtual dhe ëndrra jonë europiane rrezikon të shndërrohet në zhgjëndërr pa strategji të sakta antikrim, pa burime të mjaftueshme njerëzore e teknologjike antikrim, pa një qasje dhe angazhim e veprim të integruar të të gjitha institucioneve ligjzbatuese, pa një ndërveprim dhe bashkërendim të të gjithë aktorëve institucionalë, qendrorë e lokalë, shoqërorë e civilë, pa siguruar një drejtpeshim midis parandalimit dhe goditjes, midis qasjes reaktive dhe asaj proaktive antikrim, nëse nuk do të braktisim me shpejtësi (siç dhe është nisur) pazarin e ulët të dizinformacionit dhe përbaltjes së çdo veprimi pozitiv që afron politika e lodhur, e plakur dhe e dërmuar e ish-kryeministrit Berisha. Por, nga ana tjetër, me gjithë trendin plot shpresë që është shfaqur në fillimet e qeverisë “Rama”, pse-të e mësipërme janë dhe sinjale paralajmëruese ku nuk duhet shkelur e çfarë duhet riparuar.*Deputet në Kuvendin e Shqipërisë/Burimi: Panorama.com.al/